Sot Fitër Bajram, politika uron besimtarët myslimanë

Besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin, një nga festat më të rëndësishme. Fitër Bajramin nënkupton përfundimin e muajit të bekuar të Ramazanit, ku myslimanët agjërojnë për 30 ditë.

Kreu i qeverisë, Edi Rama përmes një postimi në Facebook ka uruar të gjithë besimtarët.

“Gëzuar Fitër Bajramin”, shkruan Rama.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla gjithashtu ka dhënë një mesazh bashkimi e solidariteti.

Ajo shkruan se Shqipëria është një familje e madhe, cilido qoftë besimi ynë.

“Pas përkushtimit e sakrificave të agjërimit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, rritjes shpirtërore, lutjeve, faljeve, refleksioneve, durimit, shpërblehemi e kremtojmë bashkarisht Fitër Bajramin.

Shqipëria është një familje e madhe, në të cilën, cilido qoftë besimi ynë, ndajmë me njeri-tjetrin gëzimet, lutjet, bekimet, dëshirat dhe urimet për më shumë mirëqenie, dashuri, solidaritet e bashkim.

Gëzuar Fitër Bajramin të gjithë besimtarëve myslimanë!”, shkruan Kryetarja Nikolla.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ndarë një foto me Imamin  Ilir Curri dhe uron besimtarët që kanë agjëruar që Zoti tua pranojë sakrificën dhe lutjet e tyre.

“Kënaqësi e veçantë ta nisja këtë ditë Fitër Bajrami, sot me imamin, z. Ilir Curri.
Zoti ua pranoftë të gjithë besimtarëve myslimanë agjërimin dhe lutjet e tyre përgjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit!
Gëzuar të gjithë shqiptarëve këtë ditë të bekuar.???”, shkruan Meta.

Ish kryeministri Sali Berisha në urimin e tij për besimtarët myslimanë lutet që Zoti t’i pranojë agjërimin dhe sakrificat.

“Të dashur miq, besimtarët muslimanë në Shqipëri dhe në mbarë botën, pas një muaj agjerimi të Ramazanit të madhërishëm, kremtojnë sot Bajramin!

Ndaj dhe le të lutemi ne sot dhe të urojmë nga zemra që i Gjithëfuqishmi të pranojë sakrificën tonë. Ta shndërrojë atë në gëzime, të mira, mbarësi për ne dhe mbarë shqiptarët kudo që janë. Gëzuar!,” shkruan Sali Berisha.

/Albeu.com