Banorët e Bërxullës kanë protestuar sërish sot pranë ambienteve të Kadastrës, pas skadimit të ultimatumit 24 orës që i dhanë kryetares së këtij institucioni Dallëndyshe Bici.
Ata kundërshtojnë projektin e rrugës Thumanë Kashar, që pritet të shembë 22 banesa në zonë, dhe të dëmtojë dhjetëra hektarë tokë.
“Këtu pa dhënë ryshfetin nuk mbaron punë. U bëj thirrje të mos vonohen, por të vijnë të flasin me ne dhe të mbarojmë punë. T’u japin shpjegim banorëve në terren sepse ndryshe nuk do të kenë shpëtim”, ka thënë një prej banorëve.
Gjithashtu ai ka theksuar se paligjshmëritë nuk kanë fund, ndërsa kanë kërkuar zgjidhje të menjëhershme pasi nuk do të heqin dorë deri sa të vendoset e drejta.
Ata gjithashtu kanë tentuar të hyjnë në institucion nga dera e pasme.
Shefi i sigurisë së kësaj godine iu sugjeroi banorëve që të qetësohen dhe mos të hyjnë me dhunë në Hipotekë, ndërsa theksoi se do të gjejnë një mënyrë që të futen brenda dy persona, si përfaqësi e protestuesve.
Ndërkohë, banorët e Bërxullës kanë rënë dakord, ndërsa kanë konfirmuar se nuk do të përdorin dhunë, por se duan një përgjigje nga ky institucion sa i takon projektit për rrugën Thumanë-Kashar, për shkak se preken banesat dhe tokat e tyre.