Qeveria australiane ka ndaluar përdorimin e aplikacionit kinez TikTok në pajisjet qeveritare.
Prokurori i Përgjithshëm, Mark Dreyfus, tha se kishte autorizuar sekretarin e departamentit të tij për të nxjerrë një udhëzim të detyrueshëm për të ndaluar aplikacionin TikTok.
Vendimi u bazua në këshillat e shërbimeve të inteligjencës australiane dhe do të zbatohet “sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Dreyfus.
Arsyeja e këtij vendimi është mbrojtja e të dhënave dhe shqetësimi për aksesin e mundshëm të shtetit kinez në kompaninë kineze të TikTok, Bytedance. Një zëdhënës i TikTok-ut u shpreh “i zhgënjyer” duke thënë se vendimi bazohet në një “gjykim të gabuar”.
Kritika në mbarë botën
TikTok është në qendër të kritikave në mbarë botën për shkak të dyshimeve lidhur me privatësinë. Edhe autoritetet e SHBA-së e kanë ndaluar aplikacionin TikTok në telefonat celularë zyrtarë.
TikToku ka një miliardë përdorues në mbarë botën dhe është veçanërisht i përhapur ndër brezin e ri. Në nëntor TikTok-u pranoi se punonjësit e kompanisë në Kinë mund të kenë akses në të dhënat e përdoruesve evropianë.
Hetime në Irlandë
Enti Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave ka nisur prej disa kohësh hetimet kundër Bytedance për shkelje të mundshme të ligjit të BE-së për mbrojtjen e të dhënave. Koncerni TikTok deklaroi se të dhënat e 125 milionë përdoruesve në Bashkimin Evropian janë të mbrojtura dhe se mbrojtja e të dhënave do të rritet. Kështu p.sh. në Evropë janë planifikuar të krijohen tri qendra të ruajtjes së të dhënave.
BE-ja mbështetet në rregullore të rrepta në hapësirën dixhitale.
Ligji për Shërbimeve Digjitale i detyron p.sh. platformat online, që ndër të tjera të rrisin angazhohen më fort kundër urrejtjes dhe lajmeve të rreme në internet. Po ashtu dyqanet online duhet të verifikojnë identitetin e furnitorëve përpara se të ofrojnë produktet e tyre për shitje. Ligji për Tregjet Digjitale synon të parandalojë veprimet që bien ndesh me konkurrencën nga ana e kompanive të mëdha të internetit në BE./albeu.com/