“Njëri u shtri aty, tjetri këtu”, dëshmitari për vrasjen në Kavajë: Mirë që s’më kapi plumbi, ishte sherr koti

KAVAJË-Një vrasje e dyfishtë është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në një lokal në Kavajë, në qendër të qytetit. Albeu.com ka mësuar se viktimat janë identifikuar si Edmond Gosa nga Kavaja dhe Altin Rexha nga Kukësi, të dy 43-vjeç.

Nga sa mësohet ka qenë Gosa që ka plagosur fillimisht me thikë Rexhën dhe më pas ky i fundit i është kundërpërgjigjur me armë. Altin Rexha i cili ka ndryshuar emrin në Sali Rexha, ka qenë me një fëmijë përdore në momentin e konfliktit. Gjithashtu edhe Edmond Gosa e ka ndryshuar emrin në Armand Gosa, teksa fisi i tij mbahet si “të fortët” në Kavajë.

Motivet mbeten të paqarta, por paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ardhur pas një konflikti të nisur 3 ditë më parë e ndërsa sot dyshja janë takuar “për t’u sqaruar”.

Një prej banorëve të zonës ka sjellë një dëshmi nga vrasja e dyfishtë në Kavajë. Ai tregon se Altin Rexha ishte bashkë me djalin e tij të vogël përdore në momentin që u konfliktua me Edmond Gosën.

“Kanë pasur sherr koti, nuk arritën me e mbyll. Ai ishte më djalin përdore, ai malësori se s’ja di emrin se janë të ardhëm. Dhe po bisedonin, i pamë duke biseduar, kishte fëmijën për dore, ai me thikë, ai u shtri aty, ky këtu, nja 4 plumba i dëgjiva, mirë që nuk më kapi njeri mua”, tregon dëshmitari.

Paraprakisht raportohet se konflikti ka ndodhur brenda ambienteve të lokalit dhe më pas ka agravuar në ambientet e saj të jashtme. Dy personat e përfshirë në konflikt u dërguan me urgjencë në spital, por për fat të keq nuk kanë mundur që t’u mbijetojnë plagëve të marra.

Policia ka shoqërua disa persona, klientë të lokalit si persona që mund të kenë më shumë dijeni se si ndodhi ngjarja, e teksa pritet me interes deklarimi i tyre që mund të ndihmojë hetuesit që të shkojnë drejt zbardhjes së plotë./Albeu.com/


Shtuar 29.03.2023 21:12