Rama paralajmëron Operatorët e Turizmit Detar: Certifikohuni!

Kryeministri i vendit, Edi Rama i ka bërë thirrje operatorëve të turizmit detar që të certifikohen me afrimin e sezonit të ri turistik.

Përmes një postimi në Facebook, Rama bën me dije se aplikimet janë të hapura për të gjitha subjektet që ofrojnë mjete apo aktivitete lundrimi për qëllime turistike duke nisur nga motorët e ujit dhe deri tek motoskafët e anijet turistike.

Rama: Me sezonin e ri turistik, i cili këtë vit po afrohet më shpejt dhe edhe më i mbarë se i shkuari, Operatorët e Turizmit Detar duhet medoemos të çertifikohen zyrtarisht nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Aplikimet janë të hapura për të gjitha subjektet që ofrojnë mjete apo aktivitete lundrimi për qëllime turistike duke nisur nga motorët e ujit dhe deri tek motoskafët e anijet turistike, të cilat jo vetëm do të gjobiten, po edhe do të bllokohen e do të konfiskohen në rast mungese të çertifikatës përkatëse. Informohu dhe apliko në kohë

/Albeu.com/


Shtuar 25.03.2023 14:27