Në përfundim të seancës në GJKKO, Hysni Demiraj, avokati i kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla ka folur para mediave duke mbajtur të njëjtin qëndrim se është sulm politik.
Sipas Demirajt, arrestimi i tij është bërë se nuk pranoi të hiqte dorë nga gara në zgjedhjet e 14 majit.
“Është fillimi i procedimit. Prokuroria shqiptare dhe gjykata nuk kanë arrestuar vetëm rojën dhe pastruesen e bashkisë. Ne juristët duhet të jemi më të matur. Ai bëri gabim që i kushtoi shumë shtrenjtë se duhet të ishte më i zgjuar e duhet të kishte pranuar atë moskandidim. Ne do ndjekim rrugën ligjore, do ankohemi në panel. Skandali më i madh kur akuzohet për 2 akuza.
Nëse një zyrtar mund të ketë kryer shkelje të barazisë së tenderave, s’mund të akuzohet për shpërdorim detyre. Të akuzosh për 2 vepra penale më duket e padrejtë vetëm të bësh bujë, megjithatë sistemi është treshkallësh. Fillimi sa ka nisur. Ne s’kemi në dorë asnjë provë. Ne kemi pasur 2 netë në dispozicion. Ky është sistemi. S’jemi për të shajtur sistemin por për të mbrojtur Lefter Allën. Lefter Alla para marrjes së detyrave në bashki ka qenë biznesmen i suksesshëm. Ju garantoj që nuk ka ndërhyrë në një tender me 3 milionë euro.
Edhe në Bulqizë ka jetë por ai popull nëse është pa bukë, le të mbesin edhe pa atë kanal, le të mbesin edhe pa ujë. 90% e punimeve janë të kryera. Nuk ka hetuar fare prokuroria se si është problemi në terren. Megjithatë të mos paragjykojmë, vijojmë hetimet”, tha Demiraj.