Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra për një muaj shefin e komisariatit numër 1 Rustem Dervishi në kryeqytet për komunikimin joetik me vartësit e tij lidhur me zhdukjen e një 18-vjeçareje.
“Në lidhje me një postim në rrjetet sociale, në të cilin pasqyrohet komunikimi joetik në një grup komunikimi në platformën WhatsApp, midis disa punonjësve të Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, ju bëjmë me dije se:
Menjëherë pas marrjes dijeni, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra, për një periudhë 30-ditore, Shefin për Krimet në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në DVP Tiranë, Komisar R. D., për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga neni 204 i rregullores së Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e AMP-së, vijon punën për kryerjen e një hetimi të plotë administrativ për këtë rast.
Policia e Shtetit është e vendosur për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që cenon imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
Skandali u pasqyrua ditën e sotme në media.
Në një grup “ËhatssAppi” efektivët e komisariatit nr.1 në kryeqytet bëjnë komente tallëse dhe seksiste ndaj një vajze e cila është denoncuar e zhdukur nga familja.
Vihet re se pjesë e bisedës në “WhatsApp” është edhe një efektive e quajtur Ina.
Biseda e plotë:
Rustem Dervishi: Kjo vajzë është larguar nga banesa dhe nëse konstatohet të shoqërohet në komisariatin më të afërt.
Ina: Çfarë vit prodhimi është shef?
Rustem Dervishi: Model i fundit duket.
Petrit Hala: Shikoje Ina nga parakolpi.
Ina: Si urdhëron shef. Fshati që duket s’ka nevojë për kallauz.
Petrit Hala: Fshati që duket nuk ka nevojë për drita.
Petrit Hala: Do pyetur ata punëtorët e atij lokalit që kishit sot për kallëzim, mbase e kanë parë.
Ina: Ahh jo shef subjekti në fjalë nuk lëviz nëpër ato zon. Ka direzione të sakta me objektiva të qarta për veten.
Petrit Hala: Epo mbase ja gjejmë objektivat e jetës.
Ajo që bie në sy është se mes komentuesve është edhe një efektive, e quajtur Ina.
/Albeu.com./