Dy javë më parë u bë baba, shuhet në moshën 39-vjeçare kompozitori dhe pedagogu i njohur

Është ndarë nga jeta në moshën 39-vjeçare, kompozitori i talentuar dhe njëkohësisht pedagog, Andi Bajraktari.

Lajmin e trishtë për vdekjen e kompozitorit shqiptar e kanë bërë famijarët e tij nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Miqtë e mi me dhimbje të madhe po ndaj këtë lajm të hidhur bashkë me ju! Sot u nda nga jeta vëllai im i shtrenjtë Andi Bajraktari! Qofsh i parajsës zemra ime! Andi Bajraktari Njoftojme qe pritjet behen ne Funeral Paqja, perballe Muzeut Arkeologjik, Vollga, Durres. Varrimi ne ora 16:00 prane varrezave te reja, Durres”, shkruan vëllai i kompozitorit në Facebook.

Shkak për ndarjen e parakohshme nga jeta është bërë një atak në zemër. Ai ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze dhe vetëm dy javë më parë erdhi në jetë vajza e tij e vogël.

Andi Bajraktari u lind në qytetin e Durrësit në 1984 dhe pas përfundimit të Liceut Artistik “Jan Kukuzeli” në Durrës, ndoqi studimet në Akademinë e Arteve pranë klasës së kompozimit të Prof. Endri Sina.

Formimi i tij vazhdoi më tej në studimet e Master-it të Ciklit II në klasën e Prof. Thoma Gaqi, pranë Universitetit të Arteve, Tiranë dhe me specializimin në kompozim për muzikë filmi në Akademinë Chigiana, Itali.

Pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Arteve, Andi Bajraktari, duke u vlerësuar për rezultatet me të cilat është diplomuar, ftohet të japë mësim pranë Universitetit të Arteve.

Ai, përpos karrierës akademike, ka ndërmarrë edhe një karrierë të sukseshme krijuese duke u angazhuar në pothuaj të gjitha aktivitetet dedikuar muzikës së kultivuar artistike, sikurse është Festivali “Netët e Muzikës Klasike”, Festivali i Muzikës Vokale, Festivali “Ditët e Muzikës së Re”, etj. Njëherazi ai aktivizohet edhe në fushën e muzikës aplikative me muzikën e filmave “Bores”, “Azizi”, etj.

Për krijimtarinë e tij artistike, Andi Bajraktari është vlerësuar me disa çmime sikurse është Çmimi i Dytë në Javët e Kulturës Austriake.

Largimi i tij i parakohshëm lë një boshllëk të pashlyeshëm shpirtëror për familjarët, miqtë dhe kolegët e tij./albeu.com/