DEA zyrë në Shqipëri? Çuçi: Bëhet fjalë vetëm për një person permanent

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi pasditen e sotme në Kuvend ka sqaruar prezencën e DEA-s në Shqipëri. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një zyrë, por një person permanent.

Sipas Çuçit, ky person është caktuar nga DEA dhe do të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit dhe SPAK.

Çuçi: E para njëherë ajo nuk është zyrë, por një person që DEA e ka caktuar të jetë permanent në Tiranë. Deri më sot në bashkëpunonim me DEA-n përmes zyrës që ka në Athinë. Si rezultat i intensifikimit të bashkëpunimit që kemi pasur dy vitet e fundit me këtë zyrë dhe si nevojë për të qenë në një nivel bashkëpunimi të sinkronizuar, të dy dhe DEA dhe Policia e Shtetit, ranë dakord që të kishte një person që do të ishte rezident në Shqipëri që do të bashkëpunonte me Policinë e Shtetit dhe me SPAK.

Lidhur me numrin e vënë në dispozicion nga kjo agjenci, ministri Çuçi deklaroi se kjo është plotësisht e koordinuar me Policinë e Shtetit dhe SPAK.

Çuçi: Sa i përket numrit, është e koordinuar plotësisht me Policinë e Shtetit dhe me SPAK-un sepse informacionet për të shkuar më tej në një proces hetimor do të ndahen me Policinë e Shtetit dhe me SPAK. Nuk është për t’u shqetësuar prezenca e një përfaqësuesi, por është shenjë bashkëpunimit në nivelin më të lartë./Albeu.com/

 


Shtuar 16.03.2023 17:46