Dmytro Kuleba: Fitorja e Rusisë do të shkatërronte gjithçka që përfaqëson Perëndimi

Nga Bruno Maccães “New Statesman

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Dmytro Kuleba e mësoi fillimin e luftës në shkallë të gjerë kur ishte në bordin e avionit. Më 24 shkurt 2022, Ministri i Jashtëm ukrainas po udhëtonte nga Nju Jorku në Stamboll, pasi kishte takuar Joe Biden në Uashington disa ditë më parë. Në kushtet kur hapësira ajrore e Ukrainës u mbyll, Kuleba u detyrua të rikthehej në Kiev në rrugë tokësore.

Që nga ajo kohë ai është ngarkuar të udhëheqë përpjekjet diplomatike të një vendi në luftë, për të cilin mbështetja globale është një nevojë ekzistenciale. Vetëm 41 vjeç, ai është Ministri më i ri i Jashtëm i Ukrainës, një diplomat karriere, dhe djali i një diplomati karriere.

Kur bisedova me të online, ai u tregua i hapur dhe i drejtpërdrejtë me përgjigjet e tij, edhe pse nuk u largua shumë nga roli i tij. Kur e pyeta nëse lufta do të përfundonte me një fitore ushtarake apo me diplomaci, instinkti i tij i parë ishte të përgjigjej: “Disfatë ruse”, por u kthye shpejt në qasjen e krye-diplomatit.

Kemi hyrë në vitin e dytë e luftës. A mund të ketë një fund të kësaj lufte pa një disfatë ruse? Disa luftëra përfundojnë me negociata, të tjerat me disfatë ushtarake. Sipas jush çfarë lloj lufte është kjo?

Përgjigjja e thjeshtë është : Jo, kjo luftë nuk mund të përfundojë pa humbjen e Rusisë. Por përgjigja më e nuancuar, është se kjo varet nga ajo se çfarë nënkuptojmë me “humbje ruse”? Për ne, disfata e Rusisë është tërheqja e trupave ruse nga territori i Ukrainës.

Dhe ky synim është 100 për qind i arritshëm nëse të gjithë qëndrojmë të bashkuar dhe të përkushtuar për arritjen e këtij qëllimi.

Dhe kur them ne, kam parasysh edhe Ukrainën edhe partnerët e saj. Por në një mënyrë a tjetrën çdo luftë përfundon me diplomaci. Në fund të çdo lufte, ka një dokument të firmosur.

Detyra ime është të sigurohem që kur ta kemi këtë letër përpara, ajo të përshtatet me realitetin në terren, që duhet të jetë mungesa e trupave ruse në Ukrainë.

Çfarë duhet bërë që Rusia të tërheqë trupat e saj? Shumë njerëz në Evropë dhe SHBA kërkojnë më shumë qartësi mbi atë që është e nevojshme që Rusia të tërhiqet…

Ne duhet të mos harrojmë se edhe ekspertët më racionalë, i dhanë Ukrainës një maksimum prej 72 orësh rezistencë ndaj pushtimit rus.

Unë i rekomandoj çdo analisti të mos mendojë se çfarë do të thotë për Rusinë të pësojë një disfatë, por të mendojë se çfarë mund të bëhet tjetër për ta ndihmuar Ukrainën të fitojë.

Unë i këshilloj ata të mendojnë më pak për Rusinë dhe të mendojnë më shumë për Ukrainën dhe veten e tyre.

Sepse nëse Ukraina nuk i arrin objektivat e saj legjitime në këtë luftë, do të jetë një humbje e madhe për të gjithë Evropën, dhe në një kuptim shumë më të gjerë, për të gjithë komunitetin demokratik.

Pasi në atë skenar Rusia do t’i provonte të gjithë botës se pavarësisht nga sanksionet, lufta dhe izolimi, nëse jeni mjaftueshëm i fortë për të kaluar periudhën e presionit të vazhdueshëm, mund të pushtoni pa problem fqinjët, mund t’u impononi atyre vullnetin tuaj përmes forcës ushtarake dhe të mund të mbroni fitimet tuaja duke mbajtur territoret e pushtuara.

Ky do të ishte mesazhi. Dhe kjo do të shkatërrojë gjithçka ku mbështet dhe mbron Perëndimi, përfshirë Britaninë e Madhe.

Një nga zhvillimet më befasuese gjatë vitit të parë të luftës ishte ndikimi i kufizuar i sanksioneve ndaj Rusisë. FMN dhe Banka Botërore po parashikojnë se ekonomia e Britanisë së Madhe nuk do të rritet, ndërsa ajo ruse po. Çfarë shkoi keq me politikën e sanksioneve, dhe si mund të korrigjohet kjo? 

Së pari sanksionet funksionojnë. Së dyti Rusia gënjen me statistikat e saj, për ta paraqitur situatën më mirë se sa është në realitet.

Së treti, sigurisht që sanksionet mund të ishin më të ashpra. Efikasiteti i tyre ka të bëjë gjithmonë me dinamikën. Në momentin që ndalon rritja e presionit të tyre, vendi i shënjestruar përshtatet me regjimin e sanksioneve. Ndaj për t’i bërë efikase sanksionet, duhet të vazhdoni të rritni presionin përmes tyre dhe të luftoni kundër anashkalimit të sanksioneve.

Cili është reagimi juaj ndaj propozimit prej 12 pikash që Kina paraqiti për zgjidhjen e krizës në Ukrainë? 

Ne nuk e shohim si një plan mbi zgjidhjen e konflikti. Dokumenti është një qëndrim gjithëpërfshirës i Kinës mbi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

A jeni të shqetësuar nga një fitore e mundshme e republikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA? Këtë javë, Donald Trump tha do t’i jepte fund luftës, edhe duke e lënë Rusinë të merrte nën kontroll zona të caktuara të Ukrainës?

As Donald Trump dhe as ndonjë i huaj tjetër nuk do të vendosë nga sa kilometra katrorë duhet të përbëhet vendi ynë. Ky vendim do t’i takojë gjithmonë popullit të Ukrainës. Politikanët mund të luajnë me fjalët, por askush nuk do të na imponojë vendime të tilla.

Unë mendoj se në Partinë Republikane ka fraksione të ndryshme, dhe avantazhi më i madh që ka pasur Ukraina në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara është mbështetja dypartiake në Kongres nga republikanët dhe demokratët.

Ka pak çështje për të cilat republikanët dhe demokratët janë dakord, por Ukraina është padyshim një prej tyre. Gjithsesi jemi të shqetësuar për disa zëra që vijnë nga fraksione të caktuara të Partisë Republikane.

Sulmi në tubacionet e gazit “Nord Stream” në shtator 2022 ka qenë në qendër të vëmendjes së medias. Disa raporte mediatike sugjerojnë se në sulm janë përfshirë grupe ukrainase. A mund të na siguroni se qeveria ukrainase nuk kishte dijeni apo përfshirje paraprake në këtë sulm?

Qeveria ukrainase nuk ka asnjë lidhje me këtë sulm. Atribuimi i raportimeve nga mediat, që ia atribuojnë këtë sulm grupeve private pro-ukrainase, shkakton shumë dëme pasi hedh hije mbi Ukrainën. Me sa jam në dijeni, 3 apo 4 vende janë duke kryer hetime mbi këtë rast, dhe unë do të preferoja të prisja derisa të dalin në përfundime zyrtare për këtë çështje specifike.

Nisma për Drithërat e Detit të Zi, që lejon eksportet e grurit të Ukrainës të kalojnë përmes Detit të Zi, duhet të rinovohet brenda një jave. A do të ndodhë vërtet? 

Shpresojmë sinqerisht që do të rinovohet. Ne duam që gruri të vazhdojë të shkojë në Afrikë, në Azi dhe pjesë të tjera të botës. Por kjo është në dorën e Federatës Ruse.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ishte në Kiev më 8 mars dhe presidenti Zelensky pati një bisedë të gjatë me të mbi këtë çështje. Ai do të angazhohet në negociata për të siguruar zgjatjen e marrëveshjes. /albeu.com


Shtuar 13.03.2023 10:59