Të enjten mocion me debat në Kuvend për McGonigal, Balla: Do të thuhen të vërteta të mëdha

Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialste, Taulant Balla, foli sot për mediet në lidhje me mocionin me debat që do të mbahet në Kuvendin e Shqipërisë, ditën e enjte, 2 mars.

Pas disa mungesash në Kuvend, në mocionin me debat për ccështjen McGonigal të kërkuar nga opozita do të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama.

Ai tha mes të tjerash se grupi parlamentar socialist mezi po e pret mbajtjen e mocionit për të thënë disa të vërteta para shqiptarëve.

“Shpresoj dhe besoj se të gjithë partitë politike, grupet parlamentare, duhet të kuptojnë se Kuvendi është vend debati dhe foltorja nuk mund të merret peng për axhenda që nuk kanë të bëjnë me jetën e përditshme parlamentare. Çdo deputet duhet të përdorë foltoren për të folur, por nuk mund t’i mohohet askujt. Ditën e enjte në 2 mars, ne kemi përcaktuar me vendim të seancës së kuvendit, mbajtjen e një mocioni me debat. Besoj se të gjitha grupet parlamentare duhet të përgatiten më së miri për këtë debat. Po bëjmë përgatitjet tona. Besoj dhe shpresoj që mos të gjendemi me kërkesa të tjera procedurale që të pengojnë mbajtjen e këtij debati. Çdo deputet do ketë 10 minuta kohë në dispozicion. Mos harroni që këtu kemi të bëjmë me një bashkim të disa kërkesave. Ju e dini se rregullorja e Kuvendit, pavarësisht se është interpelancë, i bashkon në një debat të vetëm. 24 orë janë mjaftueshëm për këdo dhe grup parlamentar. Është opinioni publik ai që na gjykon.”, tha ai.

Pritet që në datën 1 Mars Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland të flasë para Komitetit Gjyqësor të Senatit dhe interesi mbi punën e tij është më i gjerë se çështja e McGonigal.

/albeu.com/


Shtuar 27.02.2023 11:20