Ky filtër i Tik Tok po dëmton shëndetin mendor të njerëzve

Tani për tani në TikTok, njerëzit nuk janë fiksuar pas një produkti të ri kozmetik, një kërcimi, truku bukurie, apo një sfide, ata janë fiksuar pas analizimit të “papërsosmërisë” së fytyrave të tyre. E gjithë kjo falë një filtri viral.

Filtri që tregon reflektimin tuaj të pasqyruar – ose më qartë tregon si ju dukeni te njerëzit e tjerë – tani ka mbi 316 milionë shikime në hashtag dhe mijëra video nga përdoruesit që e provojnë atë. Disa njerëz befasohen nga simetria e fytyrës së tyre, ndërsa të tjerët tronditen nga sa e ndryshme është pamja e tyre kur vendosin dhe heqin filtrin.

“Kam qarë në shtratin tim për orë të tëra pasi kam përdorur këtë filtër,” shkroi një përdoruese. Një tjetër tha: “Tani e di pse askush nuk mendon se jam e bukur”.

Edhe pse mjekët pretendojnë se është gati e pamundur të kesh simetri të përsosur të fytyrës, filtri i përmbysur (inverted filter) në TikTok duket se po dëmton vetëbesimin e njerëzve dhe shëndetin e tyre mendor.

Më poshtë disa ekspertë tregojnë pse ndodh kjo.

Si funksionon filtri i përmbysur

Ndërsa filtri i përmbysur nuk e ndryshon pamjen tuaj në asnjë mënyrë, ai po luan me perceptimin tuaj për veten, thjesht duke jua treguar atë në një mënyrë që zakonisht nuk mund ta shihni.

“Ajo që të gjithë të tjerët shohin kur të shikojnë, është e kundërta e asaj që sheh të pasqyruar në pasqyrë,” tha për POPSUGAR Azza Halim, një anesteziolog dhe estetist i certifikuar nga Florida. “Kur shikoni veten në një pasqyrë, ju shihni një ‘imazh të pasqyruar’, kështu që në sytë tuaj kjo është pamja normale që prisni të shohin të tjerët”.

Meqenëse filtri i përmbysur e tregon fytyrën tuaj në një mënyrë të re, ai mund të zmadhojë tiparet që normalisht nuk do t’i vini re ose do t’ju bëjë të dalloni detajet më të vogla.

“Papritmas mund të vini re se një sy mund të jetë pak më i dalë, pak më i madh, ose një cep i gojës është pak më lart – kur theksohen dixhitalisht, këto gjëra mund të bëhen problematike,” tha Konstantin Vasyukevich, një kirurg plastik fytyre i certifikuar, nga New York City.

Miti i një fytyre simetrike

Sa e zakonshme është një fytyrë simetrike? Jo shumë – por ideja që simetria barazohet me bukurinë bazohet në një teori shekullore të njohur si Raporti i Artë.

“Më parë mendohej se nëse fytyra është krejtësisht simetrike, kjo është një shenjë e bukurisë”, tha Dr. Halim. “Të gjithë e kanë lakmuar simetrinë e përsosur dhe i janë nënshtruar shumë procedurave, kirurgjikale dhe jo kirurgjikale, invazive dhe jo invazive, për t’u përpjekur të korrigjojnë çdo asimetri.”

Sipas Dr. Vasyukevich, në komunitetin mjekësor, për sa kohë që ndryshimi midis të dyja anëve të fytyrës suaj është më pak se 15 për qind, është i paperceptueshëm për syrin e lirë. Vetëm kur ajo asimetri është më shumë se 15 ndryshime perfekte, kirurgët ose dermatologët plastikë do të sugjerojnë përdorimin e fillerave, heqjes së dhjamit ose procedurave të tjera korrigjuese mjekësore për të rregulluar mospërputhjen.

 

Si filtri i përmbysur mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin tuaj mendor

Filtrat e bukurisë, ashtu si Photoshop, FaceTune dhe softuerë të tjerë që ndryshojnë imazhin, kontribuojnë në standardet joreale të bukurisë dhe dëmtojnë vetëvlerësimin e të rinjve.

“Shumë njerëz kanë përshkruar ndjesitë e papërshtatshmërisë ndërsa e krahasojnë veten me të gjitha imazhet e fotoshopuara, të filtruara dhe të kuruara”, tha Dr. Halim. “Kjo tendencë e filtrit të përmbysur ka krijuar për shumë njerëz ankth, për faktin se sa asimetrike shfaqen fytyrat e tyre.”

Por ka më shumë se kaq. Filtri mund të kontribuojë në dismorfinë e trupit dhe Dr. Howard tha se njerëzit “konsumohen nga papërsosmëri të vogla (ose të perceptuara) fizike, që më pas ndikojnë edhe në mënyrën se si ata funksionojnë në fusha të tjera të jetës së tyre”.

Kur mësoheni ta shihni veten në një mënyrë, papritmas ndryshimi i këtij perceptimi mund të jetë shumë çorientues.

“Të shohësh diçka ndryshe nga si e shohim veten, mund të krijojë shqetësime”, thotë Ben Lee, një kirurg plastik i certifikuar dhe ekspert kryesor në operacionet kundër plakjes në Qendrën e Kirurgjisë Plastike WAVE. “Ekziston në të vërtetë një studim që tregoi se gratë e perceptojnë imazhin e tyre të pasqyrës si më tërheqës sesa imazhin e tyre të përmbysur.”

Ky filtër po shfaqet gjithashtu gjatë një kohe stresi dhe vetmie, kur shumë të rinj raportojnë një rënie të vetëbesimit të tyre. Është e rëndësishme të mbani mend se asgjë nuk është aq e përsosur sa duket në mediat sociale – as “fytyra simetrike” e dikujt, as marrëdhëniet apo puna e tyre.


Shtuar 15.05.2021 22:38