Kina thuhet se po përgatitet për prodhimin në shkallë të gjerë të mjeteve ajrore pa pilot (UAV) “kamikaze” për ushtrinë ruse, ndoshta për përdorim në luftën në Ukrainë, raporton Der Spiegel në numrin e saj të përjavshëm.
Negociatat janë duke u zhvilluar midis zyrtarëve ushtarakë rusë dhe prodhuesit kinez të avionëve të tillë Xi’an Bingo Intelligent Aviation Technology, tha revista, pa përmendur burimet e saj.
Bingo thuhet se është gati të ndërtojë 100 UAV ZT-180, t’i testojë dhe t’ia dorëzojë ministrisë Ruse të Mbrojtjes deri në prill.
Ky model klasifikohet si i ngjashëm me Shahed 136, i cili prodhohet në Iran, sipas ekspertëve ushtarakë të cituar nga Spiegel.
Ai mund të mbajë eksplozivë që peshojnë nga 35 deri në 50 kilogramë.
Në një fazë të dytë, industria kineze e kontrolluar nga ushtria kineze propozon transferimin e materialeve dhe njohurive në Rusi për t’u prodhuar në atë vend, sipas informacioneve të revistës.
Kjo do t’i mundësonte Moskës të ndërtonte rreth 100 dronë të këtij lloji në baza mujore, thuhet në artikull.
Kur u pyet nga Spiegel për të komentuar këtë informacion, Ministria e Jashtme kineze as konfirmoi dhe as mohoi drejtpërdrejt se po zhvillohen negociata midis Rusisë dhe Bingo, por theksoi se “SHBA është vendi i origjinës së shumicës së armatimit të përdorur në fushat e betejës në Ukrainë”.
Megjithatë, vazhdoi ai, amerikanët “thonë herë pas here se Kina mund të furnizojë Rusinë me armë. Kjo është një manovër e njohur”, tha Ministria e Jashtme, përgjigja e së cilës u transmetua në Spiegel nga ambasada kineze në Gjermani.
Në Pekin, një përfaqësues i diplomacisë kineze tha: “Ka një sasi të madhe të dezinformatave që po përhapen në lidhje me këtë. “
Wang Wenbin shtoi: “Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm se kush po e trafikon atë.”
SHBA-ja këtë javë akuzoi Kinën se planifikonte të furnizonte Rusinë me armë për të mbështetur sulmin e saj ndaj Ukrainës, gjë që Pekini e mohoi.
Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje që të mos kultivohen “iluzionet” për Kinën në lidhje me luftën në Ukrainë, duke kujtuar se Pekini ende nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë.
Ai theksoi gjithashtu se i ka thënë qeverisë kineze se nëse e furnizon Rusinë me armë, Berlini dhe BE-ja do ta konsiderojnë atë “të papranueshme” dhe do të ketë pasoja, një mesazh identik me atë të Sekretarit të Shtetit amerikan Anthony Blinken.
Sipas Spiegel, një industri tjetër e kontrolluar nga ushtria kineze ka të ngjarë të furnizojë Moskën me pjesë për avionët e saj luftarakë Sukhoi Su-27./Albeu.com/