Shifra “të çmendura”, grupi i Franc Çopjas 2 milion euro Dumanit për të hëdhur në erë pallatin ku jetonte Erion Alibej

Arrestimi i Nuredin Dumanit, tashmë i penduar i drejtësisë nxori në dritë një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në dekadën e fundit.

Shifrat financiare të ofruara tek Nuredin Dumani nga grupet kriminale në Elbasan raportohen mjaft të majme, duke kaluar çdo parashikim të mundshëm.

Për një vrasje paguhej nga 50 mijë euro, 100 mijë euro, duke u rritur në 300 mijë euro, e deri në 2 milion euro. Rritja e çmimit në këtë “biznes” ka ardhur si pasojë e mllefit dhe hasmërisë së madhe, të lindur mes kundërshtarëve kriminalë.

Sipas dëshmisë së dhënë para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Nuredin Dumani tregon se vetëm për “kokën”, e Arjan Spahiut, i është afruar një shumë prej 300 mijë euro.

“…Arjan Spahiu, që mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për tu ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë, do më jepte 300 mijë euro…” – shprehet Dumani.

Në dëshminë e tij, Dumani ka treguar edhe se si një person  i quajtur Kel Kamami ose siç thirret ndryshe “Keli i Kiçit” që tashmë qëndron në Dubai, i ka kërkuar vrasjen e Erjon Alibejt dhe për këtë i ka ofruar 2 milionë euro.

“…Kel Kamami, ka dashur të organizojë një atentat që ta bënte me hedhjen në erë të gjithë pallatin, ku jetonte, Erjoni. Për këtë atentat të kësaj natyre, flitej për një shumë që shkonte në 2 milion euro. Keli ma ka çuar dhe SMS, pseudonimin e Erjon Alibej, që sipas tij ishte “Krymi”. Këtë fakt unë ja thashë Arjanit…” – deklaron Nuredin Dumani.

Ditën e sotme policia ka arrestuar  Arben Spahiun, kunatin e Erjon Alibejt dhe mikun e tij Arsen Preci si posedues të dyshuar të 3 armëve kallashnikov që u gjetën dje në makinën BMË X6, gati për atentatin që dështoi.

Në çantën tip marsup të sekuestruar nga policia ditën e djeshme janë gjendur dy dokumente të falsifikuara greke me identitetin e Arben Spahiut.

Mësohet se shënjestër ishte Elton Kila, i njohur si Oti i Elbasanit, të cilin tentoi ta vriste edhe Nuredin Dumani në vitin 2022, me porosi të Suel Çelës.

Mjeti tip BMW X6 që ishte i armatosur gjer në dhëmbë ka qëndruar për një kohë shumë pranë shtëpisë së Erjon Alibej, anëtarët e grupit të të cilit duket se ishin përgatitur për të goditur kundërshtarët e tij, mes tyre dhe Elton Kilën. Ndërkohë vetëm 20 metra larg ndodhej edhe shtëpia e Arsen Preçit. Ndërkohë Arben Spahiu, i cili është i martuar me motrën e Erjon Alibej është vëllai i Ardit Spahiut i vrarë në Belgjikë dhe Rigers Spahiut, i kapur në tetor 2022 me një arsenal armësh në Elbasan.

Atentati i djeshëm dështoi pasi dhjetëra forca policie kanë rrethuar makinën BMË X6 në bordin e të cilës janë sekuestruar 3 armë të llojit kallashnikov, dhjetëra fisheke, si dhe 2 shishe me lëndë ndjekëse.

Njoftimi i policisë

Elbasan/Vijon operacioni policor i koduar “Inteligjenca”, për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale. Në vijim të operacionit, Policia kap dhe vë në pranga 2 shtetasit që dyshohet se janë të përfshirë në rastin e parandaluar nga Policia.

Në nisje të operacionit, një ditë më parë, Policia gjeti dhe sekuestroi 4 armë zjarri (3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë) dhe një automjet, që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e këtij krimi.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për një ngjarje të mundshme kriminale, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Inteligjenca”.

Në kuadër të operacionit u ngritën pika të shumta kontrolli dhe u ushtrua kontroll në ambiente të ndryshme të cilat dyshohej se shërbenin për fshehjen e sendeve dhe mjeteve me të cilat mund të kryheshin veprimtari kriminale.

Pas kontrollit në terren, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, shërbimet e Policisë gjetën një automjet tip “BMW X6”, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë). Gjithashtu, në afërsi të një koshi mbeturinash, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.

Personat e dyshuar, për shkak të presionit policor në terren, fshehën automjetin me të cilin qarkullonin, armët e zjarrit, bidonat me benzinë dhe mjete të tjera me të cilat do të kryenin krimin.

Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të operacionit policor “Inteligjenca”, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

A.S., 53 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”;

A.P., 44 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Për hetimin e thelluar të këtij rasti është duke punuar një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët më të mirë të hetimit të krimit të DVP Elbasan,  specialistët e Drejtorisë për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore,  nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com/


Shtuar 20.02.2023 11:53