Hetimet ndaj Trump, Mike Pence do të kundërshtojë thirrjen për të dëshmuar deri në Gjykatën e Lartë

Ish-nënpresidenti Mike Pence tha të mërkurën se do të kundërshtojë një thirrje nga prokurori i posaçëm për hetimet ndaj ish-presidentit Donald Trump që do ta detyronte atë të dëshmonte përpara një jurie të madhe, duke thënë se nëse është e nevojsshme do të shkojë deri në Gjykatën e Lartë.

Prokurori i posaçëm Jack Smith, i emëruar nga Departamenti i Drejtësisë, po heton përpjekjet e ish-presidentit Donald Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Në ditët para 6 janarit 2021, zoti Trump bëri presion ndaj zotit Pence që ta përmbyste rezultatin, megjithëse zoti Pence nuk kishte kompetenca për ta bërë një gjë të tillë. Zoti Pence ishte në Kapitol kur mbështetësit e zotit Trump hynë me forcë në ndërtesën e Kongresit.

“Së pari më lejoni të jem i qartë: Unë do ta kundërshtoj thirrjen e Departamentit të Drejtësisë të zotit Biden që të paraqitem para jurisë së madhe sepse besoj se është jokushtetuese dhe e paprecedentë,” u tha zoti Pence gazetarëve në Ajova, shteti ku mbahen garat e para brenda partisë për zgjedhjet e vitit 2024.

“Asnjëherë më parë në historinë amerikane nuk është thirrur një nënpresident për t’u paraqitur në gjykatë për të dëshmuar kundër presidentit me të cilin ka shërbyer,” tha ai.

Zoti Pence tha se ishte gati ta çonte çështjen deri në Gjykatën e Lartë nëse është e nevojshme.

Reagimi shënon një kthesë agresive për zotin Pence, i cili pritet të kandidojë për postin e presidentit. Ky qëndrim përfaqëson një goditje ndaj Departamentit të Drejtësisë, që është vënë gjithnjë e më shumë në shënjestër nga konservatorët, pjesërisht për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj zotit Trump. /VOA


Shtuar 16.02.2023 07:22