Në çfarë kushtesh do të pranonte Rusia anëtarësimin e Kosovës në OKB?

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bochan-Kharchenko, është pyetur se në çfarë kushtesh do të pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Për agjencinë serbe “Beta”, ai tha se aktualisht Rusia nuk e njeh Kosovën dhe se në rrethanat e tilla nuk mund të zgjidhet “çështja e saj”, transmeton Gazeta Express.

“Tani është e pamundur t’i përgjigjemi pyetjes suaj, sepse askush nga ne në këtë moment nuk e di se si do të zgjidhet përfundimisht çështja e Kosovës. Çështja e Kosovës do të zgjidhet në kushte të tjera gjeopolitike që do të lindin pas përfundimit të konfliktit mes Perëndimit të përbashkët dhe Rusisë. Në kushtet aktuale gjeopolitike, nuk është e mundur një zgjidhje afatgjatë për disa çështje të hapura rajonale, përfshirë Kosovën”, theksoi ambasadori rus.

Ai shtoi se kushtet e reja gjeopolitike do të jenë rezultat i “të gjitha ngjarjeve aktuale” në skenën ndërkombëtare.

Beta ka pyetur atë se “pse Rusia nuk është e përfshirë në mënyrë më aktive në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, ambasadori rus tha se Rusia është përfshirë në mënyrë aktive në zgjidhjen e këtij problemi që nga dita e parë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

“Për shkak të marrëdhënieve armiqësore mes Rusisë dhe Perëndimit, një format i përbashkët nuk është i mundur, por Kosova është ende në agjendën e Këshillit të Sigurimit. Zgjidhja përfundimtare për Kosovën nuk është e mundur pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit dhe kjo është gjëja më e rëndësishme në këtë moment”, tha Bocan-Harchenko.

Ndërkaq, për marrëdhëniet ruso-serbe, ai tha se Rusia ishte “e zhgënjyer” kur Serbia votoi për rezolutën e OKB-së që dënonte luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Pavarësisht nga këto pengesa, ne vazhdojmë të zhvillojmë bashkëpunim të mirë me Serbinë”, theksoi Bocan-Harchenko.

I pyetur për deklaratën e Vuçiqit që tha se nuk përjashton mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse në fjalimin e tij të fundit publik, Bocan-Harchenko tha se “qeveria e Serbisë dhe presidenti Vuçiq për momentin kanë një qëndrim të prerë se sanksionet nuk duhet të vendosen ndaj Rusisë”.

“Presidenti Vuçiq është nën presion të madh nga vendet perëndimore, por tani për tani nuk kemi asnjë indikacion se Beogradi do të vendosë sanksione ndaj Rusisë. “humica absolute e popullit serb është kundër vendosjes së sanksioneve dhe dihet se presidenti Vuçiq para së gjithash merr parasysh mendimin e popullit”, tha ai.


Shtuar 9.02.2023 14:57