“E degraduar dhe e shfytyruar”, Rama sulmon opozitën: Ka ndotur keq mjedisin politik

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën me anë të një reagimi në Twitter, ku thotë se e ka ndotur keq mjedisin politik dhe e akuzoi për gënjeshtra.

Deklaratat e Ramës vijnë pasi opozita e ka akuzuar vazhdimisht për lidhjet me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal.

Madje kryedemokrati Sali Berisha e ka akuzuar Ramën se i ka paguar McGonigal para për të shkatërruar opozitën.

Në fund të reagimit të tij, Rama shprehet se gjendja e opozitës është pasojë e “puthjes me një të vdekur”, duke iu referuar Berishës, i cili është sanksionuar nga SHBA.

Reagimi i plotë:

Kurrë më e mjerë, më e degraduar, më e shfytyruar dhe çekuilibruar s’është shfaqur ndonjëherë politika opozitare me altoparlantët e saj; kurrë boshllëku i ideve, kapsllëku i komunikimit, sasia e gënjeshtrave dhe budallallëqeve të lëshuara në ajër nuk kanë qenë kaq të qametshme!

Asnjëherë asnjë opozitë e asnjë kohe deri sot nuk e ka ndotur kaq keq mjedisin publik, ashtu e shtrirë në tërë kanalet e komunikimit me gjuhën jashtë dhe me trupin që përpëlitet nga fabrikimi non stop i pisllëqeve më ekstreme! Kjo është pasoja e puthjes fatale me një të vdekur.

/albeu.com

 

 


Shtuar 3.02.2023 18:55