Mijëra besimtarë myslimanë shqiptarë po festojnë sot Fitër Bajramin, një nga ditët kulmore të besimit të tyre.
Ata u mblodhën në sheshin Skënderbej në orët e para të mëngjesit dhe bënë faljet e rastit, ndërsa udhëheqësit fetarë jepnin mesazhe paqeje, vëllazërie dhe mbështetje për më të varfërit.
Kryetari i Komunitetit Mysliman Bujar Spahiu, uroi besimtarët brenda dhe jashtë Shqipërisë për këtë festë që vjen pas 30 ditë agjërime e sakrifica të Ramazanit dhe falenderoi rininë, mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe të gjithë ata që i shërbejnë zhvillimit të Shqipërisë.
Kjo është hera e parë pas një viti gjatë pandemisë, që besimtarët mblidhen lirisht në shesh në numra kaq të shumtë, ndonëse kufizimet mbrojtëse ndaj Covid ende nuk janë hequr.
Një pjesë e madhe e klerikëve dhe besimtarëve mbajtën maska në hundë gjatë faljes.
Kjo mendohet se është edhe hera e fundit që Bajrami festohet në sheshin Skënderbej, sepse xhamia e re Namasgjasë është në përfundim të ndërtimeve.
Për shumë vite besimtarët myslimanë kanë patur mirëkuptimin e autoriteteve dhe opinonit qytetar kur janë falur në shëtitoren Dëshmorët e Kombit dhe në Sheshin Skënderbej, sepse nuk kanë patur një xhami të madhe për festa të tilla.
Me ndërtimin e xhamisë së re pranë rrugës së Elbasanit kjo gjendje do të përmirësohet dhe kushtet e besimtarëve do të jenë më të mira.
Gjatë festës së sotme ndodhi edhe një incident, që për pak sekonda mund të kishte përfunduar në një ngjarje të rëndë.
Besim G, 40 vjeç, hyri sot i lagur me benzinë në sheshin Skënderbej në mesin e besimtarëve të shumtë myslimanë, që po festonin Fitër Bajramin.
Ai u bllokua fillimisht nga besimtarët në përpjekjen për t’u vetëdjegur, duke thirrur “S’ka Zot” dhe më pas u ndalua nga policia.
Gjatë shoqërimit nga policia ai thoshte se ka 22 vjet që përpiqet të mbijetojë, motivet e tij ende nuk janë të qarta, policia tha se nisën hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes./VOA/