Përkujtohet 21 Janari, homazhe për katër të vrarët, Rama nderon viktimat me karafil

Kanë nisur homazhet në nder të katër të vrarëve në protestën e 21 Janarit.

Kryeministri, Edi Rama, anëtarë të qeverisë, deputetë socialist por edhe shumë qytetarë po zhvillojnë homazhe në nder të 4 të vrarëve  në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Ndërkohë kryeministri i shoqëruar nga familjarët e viktimave vendosi nga një karafil për çdonjërin nga “dëshmorët e Atdheut”.

Sot bëhen 12 vite nga protesta e përgjakshme e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorë e Kombit” në Tiranë.

Nisi si një marshim paqësor, por përfundoi me 4 të vrarë. Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestave të opozitës në atë kohë, në 21 janar 2011.

Edhe pse kanë kaluar 12 vite nga ajo ditë familjarët thonë se ende nuk po shohin drejtësi për të afërmit e tyre.

Më 21 janar 2011, opozita e atëhershme, sot në qeveri protestoi para kryeministrisë. Protesta degjeneroi në dhunë dhe përplasje ndërsa nga brenda kryeministrisë u hap zjarr duke sjelle dhe bilancin tragjik./albeu.com/