Zyrtari gjerman ia bën të qartë Serbisë: Pa njohur Kosovën, nuk ka anëtarësim në BE

Në një intervistë për “Nova”, i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se qëndrimi i Berlinit është se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur Kosovën.

Ai theksoi se BE-ja është në krye të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje sa më shpejt mes dy palëve, si dhe se është e rëndësishme që përfaqësuesit e serbëve u bashkohen institucioneve të Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne nga Gjermania gjithmonë kemi pasur një qëndrim shumë të qartë për këtë çështje – në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, kur Serbia të vendosë për anëtarësim në BE, njohja e Kosovës do të jetë pjesë e procesit. Nuk do ta lidhja shumë me propozimin evropian, por është diçka që Gjermania me siguri e pret dhe kjo u tha qartë kur kancelari Olaf Scholz vizitoi Serbinë në qershor të vitit të kaluar”, tha ndër të tjera zyrtari gjerman.


Shtuar 19.01.2023 10:36