Aktivistja për klimën, Greta Thunberg, ishte në mesin e aktivistëve të tjerë të arrestuar gjatë një proteste kundër shkatërrimit të fshatit të qymyrit, Lytzerat, tha policia më 17 janar.
Një zëdhënës i policisë tha se nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me Thunbergun, e cila iu bashkua protestuesve javën e kaluar për të kundërshtuar zgjerimin e minierës, që është në pronësi të gjigantit të energjisë, RWE.
Policia, duke përdorur buldozerë largoi aktivistët nga ndërtesat që gjenden në këtë fshat – në të cilin kanë mbetur vetëm disa pemë dhe një tunel nëntokësor – fundjavën e kaluar, por protestuesit, përfshirë Thunberg, qëndruan duke vazhduar protestën.
Aktivistja Thunberg u arrestua teksa po protestonte pranë minierës së qymyrit Gazveiler 2, që gjendet rreth 9 kilometra nga Lytzerat. Ajo ishte ulur së bashku me një grup protestuesish pranë skajit të minierës.
Thunberg iu bashkua protestuesve të premten. Reuters raportoi se dëshmitarët kanë thënë se e kanë parë atë në një autobus të madh të policisë, pas arrestimit.
Policia kishte paralajmëruar aktivistët se do të përdorte forcën nëse ata nuk do të bashkëpunonin që të identifikoheshin.
“Greta Thunberg ishte pjesë e një grupi aktivistësh që u nis drejt skajit të minierës. Megjithatë, ajo u ndalua dhe u dërgua nga ne, së bashku me këtë grup, në një zonë ku nuk ka rrezik, dhe më pas ky grup u identifikua”, tha policia gjermane për Reuters, duke shtuar se një aktivist u hodh në minierë.
Thuberg u mor nga tre policë që e larguan nga skaji i minierës, ku paraprakisht kishte qëndruar e ulur së bashku me grupin e aktivistëve.
Të shtunën, më 14 janar, aktivistja nga Suedia iu adresua afër 6.000 protestuesve që marshuan drejt Lutzeratit. Ajo tha se zgjerimi i minierës është “tradhti e gjeneratës së tanishme dhe të ardhshme”.
“Gjermania është një prej ndotëseve më të mëdha në botë dhe duhet të mbahet përgjegjëse”, tha ajo./rel/