Rrëfehet i biri i pastrueses: Mamaja më tregoi paratë që vodhi, bleva dy makina Mercedez-Benz

20-vjeçari Havier Dobi, i biri i Rozeta Rakipllari Dobi, që vodhën rreth 700 mijë euro nga vila ku Rozeta punonte si pastruese ka treguar para grupit hetimor detaje nga vjedhja që bëri në bashkëpunim me të ëmën.

Ai ka treguar se si mamaja e tij i ka treguar vendin e parave paratë.

Pjesë nga dosja

“I është marrë deklarim të dyshuarit Havier Dobi i cili ka deklaruar se, në datën 15.12.2022 rreth orës 09:00 ai ka shkuar me makinën e tij Mercedes- benz ngjyrë gri me targa AA390VT së bashku me mamanë e tij tek Rruga e ”Kosovarëve” pasi mamaja e tij punonte si sanitare tek një banesë në komleksin Orion. Pasi kanë vajtur në Rrugën e ”Kosovarëve” ka parkuar makinën dhe ka qëndruar rreth 20 minuta brenda në makinë. Më pas ka zbritur nga makina dhe ka vajtur tek hyrja e pallatit për të parë vendin që i kishte thënë mamaja e tij dhe më pas është kthyer përsëri në makinë. Nga aty pak minuta më pas ka dalë mamaja nga makina dhe ka shkuar te banesa ku ajo pastronte. Ka qëndruar rreth 10-të minuta dhe pasi ka dalë me vete ka patur një çantë shkolle adidas ku ka hipur në makinë dhe kanë zbritur në lagjen ku ata banojnë. Në momentin që kanë arritur te lagja ka vënë re se mamaja e tij ka nxjerrë nga çanta një kasafortë dhe e ka hedhur te koshat e plehrave. Disa ditë më vonë mamaja i ka treguar një shumë parash me prerje 500, 200 eurosh, me prerje 100 dollarësh dhe 50-tëshe lekë, ku i ka sqaruar se këto lekë ajo i kishte marrë te banesa te Rruga e ”Kosovarëve” tek banesa ku ajo jetonte si sanitare. Deklaron se me një pjesë të këtyre parave kishte blerë dy makina tip Mercedes benz. Njëra ngjyra e bardhë me targa AA907LZ ndërsa tjetra ngjyrë e zezë me targa AC055HD.”

Nënë e bir akuzohen për vjedhjen e rreth 700 mijë eurove nga banesa e ish-këshilltares së qeverisë Alda Klosi, ku Rozeta kishte punuar si pastruese.
Rozeta Rakipllari dhe Havier Dobi u lanë në burg sot nga Gjykata e Tiranës me akuzën e vjedhjes.

Nënë e bir u arrestuan dy ditë më parë me akuzën e vjedhjes së mijëra eurove në banesat ku 49-vjeçarja punonte si pastruese.

Ngjarja ndodhi në Rrugën e Kosovarëve, në një banesë ku Klosi e kishte marrë me qira prej 2 muajsh. Në momentin e vjedhjes, Klosi nuk ndodhej në banesë pasi kishte udhëtuar jashtë shtetit.

Rozeta Rakipllari, së bashku me djalin e saj Havier Dobin është autore e vjedhjes së 524.800 eurove, 8500 dollarëve dhe 368.000 lekëve të rinj si dhe aksesorë flori, në banesën e Alda Klosit alias Çiko, e cila ka qënë Drejtore Kabineti pranë ish-ministrit të Rindërtimit dhe ish-Zv/kryeministrit të vendit, Arben Ahmetaj./albeu.com.


Shtuar 9.01.2023 13:57