Heqja e barrikadave në veri të Kosovës, NATO: Të gatshëm të ndërhyjmë për të garantuar lirinë e lëvizjes

Aleanca e Atlantikut të Veriut ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës me heqjen e barrikadave.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungesco ka mirëpritur uljen e tensioneve në veri të Kosovës, ndërsa tha se NATO është e gatshme të ndërhyjë nëse cenohet liria e lëvizjes në Kosovë.

“NATO mirëpret përpjekjet për de-eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës. Ne presim që të gjitha palët t’u përmbahen detyrave të tyre”, ka shkruar ajo në një postim në Twitter.

Ajo ka deklaruar se NATO dhe KFOR po e vëzhgojnë me kujdes situatën, duke treguar gatishmëri për të ndërhyrë që ta garantojë lirinë e lëvizjes.

“NATO dhe KFOR, po vëzhgon nga afër dhe është i gatshëm që të ndërhyjë nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin nga OKB për ta garantuar lirinë e lëvizjes”, ka shkruar ajo.

Pas lirimit të serbëve të arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme, sot ka nisur heqja e barrikadave në veriun e vendit, të cilat kishin pamundësuar lirinë e lëvizjes.


Shtuar 29.12.2022 19:43