Një 33-vjeçare nga fshati Vragoli i Fushë Kosovës ka vdekur dje pasi dyshohet se motra e saj e ka ngufatur me jastëk.
Burimet informuan dje se dy motrat, viktima dhe autorja dyshohet të kenë pasur probleme mendore.
Viktima 33-vjeçare dyshohet se është privuar nga jeta nga motra e saj, e cila u arrestua dhe me urdhër të prokurorit të shtetit u dërgua në mbajtje për 48 orë. Ndërsa, trupi i pajetë i viktimës u dërgua për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, pasi fillimisht u bë e ditur se bëhej fjalë për vdekje të dhunshme.
Një ditë pas kësaj tragjedie, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuares për vrasjen e motrës, gjithashtu për të është propozuar edhe ekzaminimi psikiatrik.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tha se hetimet po udhëheqen në drejtim të vepres penale “vrasje e rëndë”.
Viktima dhe dorasja kanë diferencë në moshë rreth tri vjet, ndërsa fqinjët theksuan se motrat prej kohësh kishin probleme mendore.