Prokuroria e Sarandës ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjykatë dosjet për dy ngjarje të rënda të ndodhura në prill dhe në qershor të këtij viti në Sarandë. Me akuzën “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal, Prokurori Ilir Hoxha ka dorëzuar në Gjykatë dosjen për 37-vjeçarin Enivled Aliaj, aktualisht person në kërkim. Mbrëmjen e 9 prillit të këtij viti, në një lokal në shëtitoren e qytetit, Aliaj tentoi të vriste, duke goditur disa herë me thikë 29 vjeçarin Dino Majko, duke e lënë të plagosur rëndë ndërsa vetë u largua në drejtim të paditur.
1 muaj para ngjarjes Aliaj mësohet se i kishte dëmtuar me thikë gomat e makinës Majkos dhe dy ditë pas kësaj kishte kanosur me thikë brenda ambienteve të Spitalit të Sarandës ish-bashkëshorten e tij. Për këtë ngjarje ndaj Aliajt ka një masë të dytë sigurimi “Arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Apelit Gjirokastër në 5 maj për veprën penale “dhunë në familje” pasi më parë Gjykata e Sarandës e kishte lënë të lirë madje duke e quajtur arrestin të paligjshëm. Nëse Aliaj nuk do të ishte liruar për ngjarjen e 9 marsit, ndoshta nuk do të kishte ndodhur as tentativa e vrasjes së Majkos në 9 prill.
Ndërkohë prokurori Ilir Hoxha ka dorëzuar në Gjykatë edhe dosjen për Jorgo Golemaj, 43 vjeç, për veprën penale “vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Në 7 qershor të këtij viti, pas një konflikti në shetitoren e qytetit, Golemaj qëlloi me thikë 40 – vjeçarin Kledi Koka, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e qytetit. Golemaj pretendon se ngjarja ka ndodhur pasi ishte goditur më parë nga viktima pas një konflikti verbal por gjithsesi ka shprehur pendesë për ngjarjen, shprehur kjo edhe në seancën për caktimin e masës së sigurisë.