Pas shpërthimit, Gjermania i ofron ndihmë në patrullimin e hapësirës ajrore Polonisë

Në përgjigje të goditjeve me raketa në Poloni, Gjermania i ofroi vendit fqinj mbështetje “të menjëhershme” për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore.

Siç bëri të ditur të mërkurën në Berlin, zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes, Christian Thiels, Gjermania i ka ofruar Polonisë ndihmë në vëzhgimin e hapësirës ajrore. “Kjo mund të fillojë qysh nesër, nëse e dëshiron Polonia”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të mërkurën në Berlin në konferencën e rregullt për shtyp të qeverisë federale. Ndihma synon të forcojë patrullimin ajror me avionë gjermanë Eurofighter: “Avionët nuk duhet të zhvendosen në Poloni për këtë. Patrullat mund të kryhen nga bazat e forcave ajrore gjermane”, tha zëdhënësi i ministrisë.

Flota Ajrore e Gjermanisë edhe më parë ka bërë një gjë të tillë, konkretisht deri në korrik të këtij viti: “Pra, është e provuar”, tha zëdhënësi.

Ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht (SPD), do të bisedojë gjatë ditës me homologun e saj polak. Sipas zëdhënësit, ende nuk është e qartë se sa Eurofighter gjermanë do të përfshihen në aksion. Kjo duhet të diskutohet me palën polake. Patrullimi bëhet gjithmonë me dy avionë në hapësira të caktuara ajrore, tha zëdhënësi./DW/


Shtuar 16.11.2022 16:28