U kualifikuan në Champions, trajneri danez: Me milionat e UEFA dua një gardh

Klubi i FC Midtjylland u kualifikua për herë të parë në historinë e tyre në fazën e grupeve të Champions League. Danezët arritën të kalonin Slavia Prague në raundin e fundit kualifikues, ku biletën për në grupe e morën në shtëpi falë fitores 4-1. Sfida e parë në Çeki kishte përfunduar në barazimin 0-0, por Midtjulland preku historinë falë fitores në ndeshjen e dytë.

Tashmë ato do të mbulohen nga milionat e shumtë që UEFA dhuron në këtë fazë si nga të drejtat televizive ashtu edhe nga barazimet apo fitoret e mundshme. Trajneri i danezëve, Brian Priske, i ka idetë e qarta se çfarë kërkon nga drejtuesit e tij me paratë që do të vijnë.

“Po, është e vërtetë që do të marrim shumë para. Mua më është premtuar një gardh rreth fushës stërvitore, në mënyrë që të mos lodhemi më duke mbledhur ato topat e mallkuar,” ka deklaruar tekniku për mediat në Danimarkë. Ata nuk patën fat në goglat e djeshme, pasi janë në grupin e “ferrit” me Liverpool, Ajax dhe Atalantën.


Shtuar 2.10.2020 13:16