“Regjimi Rama-Doshi-Rakipi”, PD ankimon rezultatin e 25 prillit në 9 qarqe

Partia Demokratike ka dorëzuar sot në KQZ dosjen ankimore për shkeljet e pretenduara në 9 qarqe të vendit në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një dalje publike për mediat, përfaqësuesja e grupit të juristëve të PD-së tha se bëhet fjalë për prova që tregojnë qartë për atë çka e cilësojnë masakër elektorale.

“Procesi i 25 prilli ishte një masakër elektorale i bërë nga regjim i Rama-Doshi-Rakipi. Viktimat e kësaj masakre janë shqiptarët. PD do të qëndrojë e fortë dhe e vendosur për të luftuar për rikthimin e demokracisë. Sot depozituam me qindra prova dhe fakte që provojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të qytetarëve nga blerja e votave te përdorimi i administratës dhe vjedhja e të dhënave personale, nga  legalizimet, përdorimi i bandave për blerjen e votës dhe kërcënimi i qytetarëve dhe mosveprimi i policisë së shtetit dhe prokurorisë deri te ndryshimi i fletës së votimi dhe llogaritja e tyre si të paligjshëm plot 83 mijë fletë që do të përktheheshin në 8 mandate”, tha drejtuesja e departamentit antikorrupsion në PD.


Shtuar 9.05.2021 13:57