Në Kuvend po diskutohet paketa fiskale dhe buxheti i vitit 2023. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se ky nuk është një buxhet i zakonshëm, por një buxhet i rezistencës së një krize të shkaktuar nga një luftë.
“Ajo nuk është thjesht një luftë ushtarake mes dy vendeve. Të gjithë e dimë që ky është shkaku i inflacionit. Si do dukej ky buxhet nëse do ishit ju në pushtet? Çdo shtet sot ka sfidën si të menaxhojë inflacionin, çfarë masa të marrë. Debatet dhe kritikat janë se si menaxhohet inflacioni. Në vendet baltike inflacioni është mbi 20%. Ndërsa ne kemi një shifër 6.4%. në të gjithë Evropën inflacioni është më 2 shifra, ndërsa ne jemi në 6.4%”, tha Peleshi.
Ai tha se ka disa arsye që qeveria ka arritur të menaxhoj inflacionin dhe arsyeja kryesore është mburoja e çmimit të energjisë. Sipas tij është energjia ajo që po trondit tregjet, por nga konsumatorët shqiptarë nuk ndjehet pasi qeveria po mbulon 80% të faturës së tyre.
“Shqipëria e vogël e ka bërë këtë dhe për të arritur në këtë ditë ka rritur të ardhurat dhe ka dyfishuar buxhetin, ka shtuar 3 miliard dollarë në buxhet. Po të mos ishin ato 3 miliard ne nuk do përballonim dot krizën e luftës.”
Ministri deklaroi se do të ketë një rritje të re për ushtarakët. Pagat e tyre u rritën me 40% në korrik 2022 por nga janari 2023 do të ketë një rritje tjetër me 7%.
“Rreth 7 mijë ushtarakë do të përfitojnë një rritje të re me këtë buxhet. Në janar, ky buxhet mbi 30% e korrikut, do të shtojë edhe 7%. Ky është një vizion i qeverisë dhe një premtim i kryeministrit i cili ka thënë se pagat e ushtarakëve do të rriten çdo vit derisa të kalojmë vendet e Ballkanit Perëndimor. Putini është arsyeja e tronditjes së ekonomive botërore dhe Shqipëria e ka menaxhuar më së miri.”
https://www.facebook.com/kuvendishqiperise/videos/5619726418063807