Situata e tensionuar në veri të Kosovës, Lista Serbe paralajmëron protestë ditën e nesërme

Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës pasi vendosën të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të asaj që e cilësuan ‘moszbatim i marrëveshjeve të Brukselit nga autoritetet në Prishtinë’, kanë paralajmëruar protestë ditën e nesërme.

“Vëllezër dhe motra le të mblidhemi nesër në asamblenë e përgjithshme nacionale në Mitrovicën e Veriut në orën 12 pranë monumentit të perandorit Lazar për t’i tregojmë Evropës se shteti ynë i vetëm është Serbia dhe presidenti Aleksandar Vucic“- shkroi Lista serbe në Facebook.

Vendimi i serbëve të Kosovës për t’u larguar nga institucionet pasoi mospajtimin e tyre me fillimin e zbatimit të vendimit të qeverisë qendrore për targat e makinave.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, qeveria dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri“, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Rakiç tha se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës. Ai akuzoi Prishtinën për shkelje të vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel.


Shtuar 5.11.2022 18:36