Gazetari Artan Hoxha thotë se lista me persona të dyshuar në Shqipëri që u publikua sot nga hakerat iranianë, nuk dihet saktësisht nëse ka dalë nga sistemi MEMEX i Policisë së Shtetit. I ftuar në emisionin Opinion, Hoxha u shpreh se kjo listë nuk është e manipuluar, por janë të dhëna të vitit 2010 e në vijim.
“Në atë link ishte dhe problemi që nëse hyn mund të të hakerojnë dhe ty. Frika bën të vetën. Problemi nga ajo që pashë tek ai informacion, ato janë të dhëna të cilat dyshimi që është thënë që në fillim, janë nga MEMEX apo jo, sigurisht që MEMEX ka të dhëna të tjera më të detajuara. Ne nuk dimë saktë cili është niveli… Që ajo nuk është e manipuluar, atë harroje. Një rubrikë e ngjashme e personave të dyshuar e ka sistemi TIMS. Ka një rubrikë të veçantë, që në një moment të caktuar kur janë mbajtur këto të dhëna, këto të dhëna janë nga 2010 e mbrapa, dyshimi është fakti që ende sipas tyre këto të dhëna janë marrë nga MEMEX,”- tha Hoxha.
Sot hakerat “Homeland Justice” publikuan të dhëna që sipas tyre kanë dalë nga kartoteka e Policisë së Shtetit dhe programit MEMEX. Por çfarë është MEMEX? MEMEX njihet edhe si Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Kriminal dhe është mjeti kryesore në punën e Policisë së Shtetit. MEMEX mban të dhëna sekrete të policisë mbi çdo eksponent kriminal. Ky sistem shërben për marrjen dhe transmetimin e njoftimeve për ngjarjen kriminale të ndodhur, informacionit policor si dhe të dhënave për personat e implikuar në këto ngjarje apo informacione. Goditja e sotme nga Homeland Justice e zhbën këtë sistem. Puna e disa viteve të punonjësve të policisë tashmë është e minuar.