OFL zbret në Vlorë, kush janë të akuzuarit për drogë dhe prostitucion që morën sot “letrën”

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL-ja u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë tre shtetasve.

Bëhet fjalë për Elton Bushi alias Adriatik Canaj, banues në Vlorë, i dënuar në Itali për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”; Vasil (Agim) Çobo, banues në Vlorë, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe Klodjan Llanaj, banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.


Shtuar 10.09.2020 12:08