Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Lezhë. Nga raportimet e para mësohet se një efektiv policie është vënë në pranga.
Dyshohet se ai ka tentuar të përdhunojë një vajzë të mitur.
Mësohet se polici është i moshës 62 vjec dhe është vënë në pranga gjatë një aksioni ditën e sotme.
“Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka arrestuar ditën e sotme efektivin e policisë në Lezhë, Kol Kola, i akuzuar për veprën penale të “Ngacmimit seksual’. Në njoftimin e policisë shkruhet se 62-vjeçari në datë 29 prill, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur…”- njofton SHÇBA.
Njoftimi i policisë:
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka arrestuar ditën e sotme efektivin e policisë në Lezhë, Kol Kola, i akuzuar për veprën penale të “Ngacmimit seksual’. Në njoftimin e policisë shkruhet se 62-vjeçari në datë 29 prill, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka ekzekutuar urdhërin e ndalimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, në ngarkim të një punonjësi policie, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Lezhë, për veprën penale, “Ngacmim seksual”.
Ndalimi i 62-vjeçarit u krye pasi dyshohet se në datë 29 prill 2021, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur.
Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se punonjësi i policisë K.K. ka shfrytëzuar rastin që e mitura ka qenë e pashoqëruar nga persona madhorë, e duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim. Aty dyshohet se ka kryer vepra të turpshme, duke tentuar gjithashtu të kryejë marrëdhënie seksuale. Këto veprime janë kundërshtuar nga e mitura, e cila u largua me forcë nga banesa.
Nisur nga kallzimi i të miturës dhe nga verifikimet paraprake të Policisë Gjyqësore, që dokumentoi me prova shkencore rastin, si edhe duke siguruar pamje filmike, është arritur në konkluzionin se shtetasi K.K. ka konsumuar elementë të veprës penale “Ngacmim seksual”.
Hetimet vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.
SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90 dhe duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor./albeu.com/