Banka e Shqipërisë: Çmimet e energjisë, sfidë e konsiderueshme për rritjen ekonomike

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të këtij viti.

Mbështetur në analizën e raportit, Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme.

Depozitat dhe kreditë u rritën me ritme më të ulëta se në periudhat e mëparshme, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet ekonomike përgjatë periudhës ishin pozitive, ndonëse rritja ekonomike dhe çmimet e larta të energjisë dhe të ushqimeve në tregun ndërkombëtar, ruajtën presione të theksuara inflacioniste.

Në këto kushte ka nisur normalizimi i politikës monetare për uljen e normës së inflacionit në afatin e mesëm dhe po merren masa të natyrës fiskale dhe administrative për sigurimin e energjisë së nevojshme për ekonominë.

Në deklaratën e saj, banka qendrore nënvizon se, për shkak të çmimeve të jashtëzakonshme të energjisë në tregun ndërkombëtar dhe pozicionit të vendit tonë si një ‘importues neto’ i energjisë, sfida për rritjen e ekonomisë në muajt e ardhshëm është e konsiderueshme.

“Nëse ekonomia ngadalësohet, kjo mund të ndikojë në rënien e aftësisë paguese të bizneseve e të familjeve, dhe të përcillet në sektorin bankar nëpërmjet rënies së cilësisë së aktiveve, rënies së niveleve të fitimit të veprimtarisë apo krijimit të humbjeve financiare. Për të administruar këtë skenar, nevojitet që bankat të evidentojnë ekspozimet e tyre më të ndjeshme dhe të ndërmarrin në kohën e duhur veprimet e nevojshme për mbulimin e rreziqeve, duke përfshirë krijimin e rezervave financiare dhe fuqizimin e pozicioneve të kapitalit. Banka e Shqipërisë do të vijojë të monitorojë me kujdes zhvillimet në sektorin bankar dhe në treguesit makroekonomikë e financiarë. Ky proces siguron që vendimet e politikave të institucionit t’i përgjigjen zhvillimeve aktuale dhe pritjeve që ndërtohen mbi to, duke synuar gjithmonë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar,” thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij./monitor


Shtuar 7.09.2022 17:26