Pse u mbyllën bastet? Ervis Martinajt nuk i gjendet as “nami as nishani”, sot diskutohet për rihapjen e tyre

Ditën e sotme është diskutuar për rihapjen e basteve sportive, pas mbylljes së tyre disa vite më parë.

Një ditë më parë u njoftua një seancë dëgjimore mes qeverisë dhe palëve të interesit në këtë sektor, siç janë federatat sportive, të interesuara për taksat që të paguhen prej kësaj veprimtarie, por edhe vetë personazhe të rendësishëm të interesuar që të jenë vetë në këtë “lojë” të madhe që qarkullon qindra milliona euro në vit, raporton albeu.com.

Kjo kërkesë po arsyetohet me argumentin se përderisa po luhet në mënyrë të paligjshme, më mirë të paguhen taksat në shtet, nga fitimet e kompanive të basteve.

Por pavarësisht ndihmës që këto taksa do të sjellin në buxhetin e shtetit, e çuditshme është koha në të cilën po rihapen dhe mënyra e mbylljes së tyre disa vite më parë.

Bastet u mbyllën me një procedurë të përshpejtuar me arsyetimin se po mbyllnin një plagë sociale disavjeçare.

Ato sot po rihapen fill pas zhdukjes së të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, i cili zotëronte pjesën më të madhe të tregut.

Kujtojmë se gazetari Artan Hoxha u shpreh pak ditë më parë në ABC se pikat e basteve u mbyllën asokohe vetëm e vetëm për t’i prerë financimet Ervis Martinajt, i cili sipas tij ishte kthyer në një kërcënim të madh për shumë biznesmenë e politikanë.

Dhe për ironi të fatit, fill me zhdukjen e Martinajt, po diskutohet rihapja e basteve sportive./albeu.com/