Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ditët e sotme është bërë objekt hetimi nga SPAK, pas kërkesës për padi që depozitoi ish-deputeti Halit Valteri më 7 qershor.
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim kërkoi ditën e sotme nga politika që t’i kursejë akuzat ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, që këta të fundit ta kryejnë punën pa presion.
Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili thekson se kjo forvë politike mbështet këto thirrje.
Në postimin në Facebook, Blushi kujton se kryeministri Edi Rama ka sulmuar në mënyrë të vazhdueshme SPAK dhe organet e tjera të drejtësisë në vend gjatë këtij viti, madje duke deklaruar “se po i soset edhe durimi me drejtësinë e re”.
Postimi i Blushit:
Partia e Lirisë është e vendosur për të ndihmuar dhe inkurajuar çdo ditë SPAK, siç po vepron, duke e furnizuar me prova të pakundërshtueshme dhe dokumenta origjinalë që provojnë botërisht vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe bandës së tij, kryesisht nëpërmjet aferës së inceneratorëve.
Partia e Lirisë pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar dhe të shumëpritur nga populli shqiptar.
I bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga cilësimet e SPAK, si krijesë të PS, siç bëri në Kongresin e Partisë së 9 majit kur tha ndër të tjera se: “SPAK-u nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte kjo parti”, sepse të tilla kërcënime dhe shantazhe nga partia-shtet kompromentojnë rëndë funksionimin e drejtësisë së pavarur dhe të bazuar vetëm në ligj. /albeu.com