Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sjellë në kujtesë viktimat e regjimit komunist.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Basha ka shkruar shprehjen e At Zef Pllumit: “Kurrgjanë mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue.”
Ish-kryetari i PD shprehet se kurrë nuk është vonë për drejtësi, shkruan Basha dhe shton se ndarja nga e shkuara është e domosdoshme.
Postimi i plotë
“Kurrgjanë mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue.”
At Zef Pllumit
Ata mbijetuan për t’i treguar shqiptarëve dhe mbarë botës krimet e tmerrshme të komunizmit, vrasjet pa gjyq, persekutimin dhe ndarjen e familjeve shqiptare, vrasjen dhe burgosjet e mendjeve më të ndritura që kishte vendi. Shqipëria do t’ju jetë përjetë mirënjohëse!
Por ndërsa mbijetuan ata panë me trishtim se si u lartësuan xhelatët e tyre, vazhduan të kenë pushtet dhe të jenë të paprekshëm. Përjetuan dhimbjen e mos gjetjes së eshtrave të të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, zhdukjen e gjurmëve të krimeve dhe emrave të kriminelëve.
Kurrë nuk është vonë për drejtësi! Ndarja nga e shkuara totalitare dhe dënimi i saj janë sot imperative për shoqërinë, për paqen tonë sociale, për mbrojtjen e lirisë që është thelbi i idealit tonë europian, dhe për ngjadhënjimin e një të ardhmeje më të mirë./albeu.com