Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë në Sarandë, ku humbi jetën një 41-vjeçar.
Sipas burimeve, ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në qytetin e Sarandës, ku 24-vjeçari Xhanelo Tarja, vrau me thikë 41-vjeçarin Klodian Bakiaj, pas një sherri që bënë për parkimin e makinës.
Gjithashtu mësohet se viktima kishte parkuar mjetin në restorantin ku punonte i riu, dhe pas një debati verbal mes tyre, ky i fundit mori një thikë dhe qëlloi mbi 41-vjeçarin duke e lënë të vdekur.
Menjëherë pas ngjarjes autori është larguar nga vendngjarja, ndërkohë që policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e tij.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë, ku dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, një shtetas, si pasojë e dëmtimeve me mjete prerëse ka ndërruar jetë, në spitalin e Sarandës, ju informojmë se:
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 24 vjeç, banues në Laç.
Shtetasi Xh. T, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, në lagjen nr.1, Sarandë, ka goditur me mjete prerëse shtetasin K. B., 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marrë, ka ndërruar jetë në spitalin e Sarandës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë punën intensive për kapjen e autorit të dyshuar.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./albeu.com/