Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen në Durrës, ku pas disa ditësh e zhdukur, u gjet nëna e dy fëmijëve, 30-vjeçarja Ersida Dyrmishi.
Marius Musaku, është personi të cilin Ersida Dyrmyshi e akuzon se e mbante nën kërcënim të mbyllur në banesë. Ai është arrestuar në flagrancë dhe do të akuzohet për heqje të paligjshme të lirisë. Në dëshminë e saj e reja ka thënë që është mbajtur pa dëshirën e saj nga Musaku, i cili është shoqëruar mbrëmjen e djeshme në komisariat. Sipas njoftimit zyrtar të policisë 32-vjeçari ka abuzuar seksualisht me nënën e dy fëmijëve, duke e kanosur për jetën e familjarëve të saj.
Nga ana tjetër, Musaku ka dëshmuar në polici. Ai tha se nuk e ka marrë forcërisht, por se ka shkuar me dëshirën e saj.
“Ersida erdhi me dëshirën e saj. Nuk e kam marrë me forcë, por erdhi me dëshirën e saj. Po ta kisha marrë me forcë nuk do ta sillja vetë në komisariat. Kemi kohë që njihemi me njëri-tjetrin”, ka thënë ai.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, shtetasin M. M., 32 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pas kallëzimit të shtetasve T. D., 36 vjeç dhe E. D., 30 vjeç (bashkëshortë), banues në Durrës, të cilët mbrëmjen e djeshme kanë denoncuar se shtetasi M. M. i ka hequr lirinë në mënyrë të paligjshme shtetases E. D., duke e mbajtur me forcë për disa ditë në një hotel, e ka detyruar për të bashkëjetuar dhe ka kryer marrëdhenie seksuale me dhunë me të, nën kërcënimin e një thike dhe duke e kanosur për jetën e familjarëve të saj.
Shtetasja E. D. ishte shpallur e humbur, pasi më datë 25.07.2022, në Komisariatin e Policisë Durrës, bashkëshorti i saj, shtetasi T. D. ka kallëzuar se ajo ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./albeu.com