Gjykata Speciale e ka pranuar pjesërisht mocionin e avokatëve të ish-presidentit Hashim Thaçi ndaj aktakuzës së re, të ndryshuar, që Zyra e Prokurorit të Specializuar e paraqiti së fundmi, raporton Gazeta Express.
Avokatët e Thaçit u ankuan për të meta në aktakuzën e reformuar. Konkretisht, argumentet e mbrojtjes së Thaçit ishin se aktakuza e re nuk ka bazë ligjore dhe se ajo duhet të hedhet poshtë, pasi pretendimet bien jasht/ fushëveprimit të afatit kohor mbi të cilin gjykata ka juridiksion për të gjykuar. Avokatët ankohen se Prokuroria e ka shtyer këtë afat dhe gjykata thotë se kjo do të merret parasysh.
“Gjyqtari konstaton se kundërshtimet e Mbrojtjes së Thaçit ndaj paragrafit 93 të këtij ligji, Aktakuza e konfirmuar e ndryshuar bie në kuadër të këtij shqyrtimi dhe prandaj do të merren parasysh për aq sa ato lidhen me ngjarjet e korrikut 1999”, thuhet në vendim.
Gjykata Speciale pranon shqetësimin e mbrojtjes së Thaçit për natyrën dhe rrethanat e krimeve për të cilat akuzohen Thaçi dhe të tjerët në aktakuzën e reformuar.
“Megjithatë, në dritën e faktit se ZPS është në gjendje të jepte specifika të mëtejshme, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se akuzat e reja në Aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar do të ndryshohet në mënyrën e treguar në paragrafët 27-29, 36-37 dhe 42, më sipër”, thuhet në vendim.
Specialja e ka udhëzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që t’i shtojë emrat e autorëve në disa paragrafë të aktakuzës së re, dhe e ka urdhëruar Prokurorinë që “të shtojë emrat e viktimave përkatëse në paragrafët 68, 93 dhe 105 të Aktakuzës së Konfirmuar të Ndryshuar siç tregohet në paragrafët 36-37, më lart”.
Gjykata po ashtu e ka urdhëruar Prokurorinë që t’i shtojë disa vendndodhje të krimeve të prentenduara në disa paragrafë të aktakuzës së re./express