Ka mbërritur këtë të diel në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit gjyqtarja e Elbasanit, Zamira Vyshka.
E kombinuar me çantë e sandale jeshile, si dhe një fustan të bardhë, gjyqtarja shihet nën shoqërinë e policëve duke hyrë në sallën e GJKKO për masën e sigurisë.
Ajo është arrestuar për korrupsion, ndërsa i është caktuar masa “arrest shtëpie”. Bashkë me të është arrestuar edhe avokati Ilir Pashaj.
Dy funksionarët e drejtësisë akuzohen për “Korrupsion pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.
Nga hetimet, rezulton se ka të bëjë për një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë, ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim në caktimin e masës së dënimit.
Bëhet fjalë për familjarë të Xhulio Musajt, i cili ishte arrestuar për plagosje, të cilët me anë të avokatit të tyre Ilir Pashaj i ofruan gjyqtares 2 milionë lekë të vjetra.