Inceneratorët, Manja i përgjigjet Metës: Emrat e të vdekurve janë nxjerrë nga dosjet e çuara në prokurori prej vitesh, diçka tjetër ia prish gjumin

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, përmes një reagimi në Facebook i është përgjigjur presidentit Ilir Meta, lidhur me akuzat për skandalin me inceneratorët dhe figurimin e emrave të qytetarëve të thjeshtë si pronarë të firmave, madje dhe qytetarë që kanë ndërruar jetë.

“Qytetarë që s’jetojnë më po hedhin firma në transaksione miliona euroshe”,tha Presidenti i Shqipërisë.

Manja shkruan se emrat e personave që kanë ndërruar jetë dhe janë përdorur në këtë skandal, kanë dalë nga dosjet që janë dërguar në Prokurori vit më parë nga hetimi tatimor.

“Ulëritëse është që Ilir Meta vazhdon ndot dynjanë, ndërkohë që emrat e të vdekurve me të cilët ai luan për të ulëritur, janë nxjerrë nga dosjet e çuara në prokurori prej vitesh nga hetimi tatimor! Po diçka tjetër ia prish gjumin Ilir Metës, dhe nuk ka faj i shkreti…”, shprehet ai.

Më herët sot, Presidenti Meta u shpreh: Ndërsa lajmet e fundit që dolën edhe dje, ku përveç pensionistëve që janë në azile, që figurojnë në mënyrë të paditur, me veprime të cilat kapërcejnë mbi 30 milionë euro. Çobanit që është në Greqi me rrogë 300 euro, figuron gjithashtu me veprime të pakryera nga ai me miliona euro këtu. Dhe së fundmi për fat të keq, për të kuptuar dramaticitetin dhe imoralitetin e tejskajshëm të kësaj babëzie që është babëzia e shekullit dje u zbuluan faktet edhe për një qytetare të ndjerë, e cila është ndarë nga kjo botë të paktën para 5 vitesh, por në emrin e të cilës gjatë këtyre viteve janë kryer transaksione prej 5-6 milionë eurosh.
Me firmën e saj gjatë këtyre viteve janë kryer transaksione 5-6 mln euro. Kjo është ulëritëse, tronditëse./albeu.com

 

 


Shtuar 12.07.2022 17:31