Ish kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me të rinjtë e FRPD.
Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, Berisha u shpreh se qeveria i ka vrarë shpresën të rinjve dhe se vendi nga keqqeverisja është kthyer në monizëm.
“Është kënaqësi të takohem me ju. Forumi ishte qershia mbi tortë, diamant i kurorës që e shndërroi PD në një parti të vërtetë opozitare. Sot mblidhemi me besimin se së bashku do të zhvillojmë një betejë jetike për vendin, të ardhmen dhe kombin. Në këtë kontekst nëse PD ka një mision së bashku me forcat tjera opozitare në këtë kohë kritike për të , në krye të këtij misioni qëndron forumi rinor, të rinjtë opozitarë që si misionarë do të bëjnë gjithçka për të fituar zemrat e të rinjve dhe të qytetarëve që të bashkohemi për ndryshimin e Shqipërisë. Të bashkohemi në një lëvizje të madhe që duhet t’u rikthejë lirinë shqiptarëve. Një vend mund të ketë pasuri të pafundme natyrore, por ndonjëherë shndërrohet në mallkim, Ju jeni dëshmitarë se çfarë po ndodh gjatë këtyre viteve me pasuritë publike të shqiptarëve. S’ka njeri që nuk përmend skemën e vjedhjeve të parave të shqiptarëve nga mafia Rama-Veliaj, një treshe e tyre krijon 24 ndërmarrje për të vjedhur para të buxhetit të shtetit. Të gjitha këto qëndrime të kësaj qeverie e cila në çdo firmë ka vjedhje, kanë arritur të rrënojnë brezin e ri. Kanë arritur t’i vrasin shpresën, t’i krijojnë bindjen se ky vend nuk bëhet. S’ka goditje më të madhe për Shqipërinë se mendimi i shqiptarëve se vendi nuk bëhet. Zbresim si opozitë e vërtete, me qëllimin për të filluar një stinë të re në betejën e tyre për të dalë nga monizmi në rrafshin politik. Ky njeri që vjedh më mafien e tij ofron kanabisin , paratë e krimit si shkëmbim për mohimin e lirisë. Kjo politikë e këtyre viteve na solli një komb bë shkretëtirë”, tha Berisha./albeu.com