Deputetët bullgarë: Maqedonia është Bullgari. Ministria e Jashtme i dërgoi notë verbale ministrisë së Bullgarisë

Përderisa pritet zhbllokim i procesit integrues të vendit dhe mbyllja e kontestit me Bullgarinë, disa deputetë të Kuvendit popullor të Bullgarisë, dje gjatë kohës kur po miratohej  propozimi francez në duart e tyre mbanin pankarta me mbishkrimin “Maqedonia është Bullgari”.

Veprimet e tilla i ka dënuar ashpër Ministria e Punëve të Jashtme, me ç ‘rast i dërgoi notë verbale Bullgarisë. Nga ministria e Jashtme e vendit kërkojnë që Sofja zyrtare të dënojë gjuhën e urrejtjes të deputetëve dhe pretendimet territoriale drejt Maqedonisë së Veriut.

“Porositë e këtilla janë në kundërshtim me vlerat evropiane demokratike, por edhe kundër Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi dhe Bashkëpunim dhe nuk kontribuojnë në kultivimin e parimeve dhe frymës së Marrëveshjes. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mënyrë përkatëse i ka dorëzuar Notë Verbale Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë”- thanë nga Ministria e Jashtme e RMV-së.

Bullgaria dje hoqi veton ndaj Maqedonisë me çka i dha dritë jeshile propozimit francez për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE, por me 4 kërkesa shtesë, e mes tyre edhe për mosnjohjen e gjuhës maqedonase.

“Saktësimi i tekstit nga propozim-përfundimet në Këshillin e BE-së, duke e garantuar inkuadrimin e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut në nivel të njëjtë me popujt e tjerë shtetformues. Përmirësimi i kornizës negociuese dhe propozim-përfundimeve në Këshillin e BE-së me qëllim të pasqyrimit sa më të qartë të situatës, se asgjë gjatë procesit të anëtarësimit të RMV-së në BE nuk do të interpretohet si njohje nga ana Republikës së Bullgarisë e ekzistimit të gjuhës maqedonase”- tha Nastimir Ananiev, “Vazhdojmë me Ndryshimet”.

Megjithatë, dje kryeministri Kovaçevski tha se kërkesat janë të papranueshme. Ndërkohë që ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se pas deklaratës në Kuvendin bullgar dhe pozicionet e qarta të Maqedonisë, presin nëse kryesimi francez do të ketë propozim përfundimtar.

“3 janë pikat kryesore të cilat për ne e përcaktojnë fatin e një propozimi e ato janë çështja e gjuhës, çështja e historisë si kriter për ecje përpara në procesin e integrimit dhe e treta dinamika e ndryshimeve kushtetuese karshi fillimit të bisedimeve”- deklaroi Bujar Osmani, Ministër I Jashtëm.

Osmani dhe Mariçiq dje thanë se Maqedonia do ta pranojë propozimin francez nëse në kornizën negociuese nuk problematizohet gjuha maqedonase, nuk përfshihen çështjet historike dhe nëse procesi negociues nuk varet nga futja e bullgarëve në Kushtetutën e vendit./tv21


Shtuar 25.06.2022 22:04