Po afrojnë ndeshjet e Kombëtares, Reja zbulon prurjet e reja

Ndeshjet e Kombëtares Shqiptare po afrojnë, dhe më to edhe atmosfera.  Sidomos ndeshja me Anglinë ka një interes tepër të madh, aq sa është kërkuar me ngulm prezenca e një numri të reduktuar tifozësh në stadium. Edhe trajneri, Edi Reja shpreson që një gjë e tillë të ndodhë. Në një lidhje direkte në emisionin “Zona Gol” me gazetarin Glend Tafaj, ku foli për punën e bërë gjatë këtyre muajve, prurjet e reja për ndeshjet e radhës, por edhe pritshmëritë nga skuadra.

Si e shihni garën për titullin kampion në Itali?
Mendoj se gjërat po shkojnë si duhet për Interin, që është shkëputur dhe duket se do t’ia dalë me sukses. Është aty edhe Juventus, por zikaltrit duken më në formë, më me besim në aftësitë e tyre dhe po bëjnë mjaft mirë nga java në javë, ndaj janë në rrugën e duhur për titullin.

Është folur për një rikthim tuajin te Napoli, për të zëvendësuar Gattuson… A pati një negociatë të vërtetë dhe si rrodhën ngjarjet?
Unë kam një marrëdhënie të shkëlqyer me presidentin De Laurentiis dhe ai më telefonon sa herë që është në vështirësi për ndonjë këshillë, megjithatë e kam thënë edhe më herët, që e kam mbyllur karrierën me klube. Ka shumë stres puna në një klub dhe nuk mund të përballoj një ngarkesë të tillë. Edhe te Shqipëria ka stres, por këtu aktivitetet janë pak më të rralla dhe ngarkesa më e ulët.

Hysaj dhe Strakosha, dy lojtarë që janë pjesë e ish skuadrave të tua… A jeni i kënaqur me situatën që po kalojnë?
Hysaj ka luajtur shumë dhe ka bërë mirë. Kur ka kalendar të ngjeshur, të vjen radha gjithmonë për të luajtur dhe ai ka treguar se mund ta bëjë shumë mirë si krahun e djathtë, ashtu edhe të mjaftin. Ndryshe nga viti i kaluar me Ancelottin, Gattuso e ka aktivizuar shumë shpesh dhe sonte ai bëri një tjetër ndeshje shumë të mirë. Mbyllte vazhdimisht krahun e tij dhe ndihmoi jo pak edhe në fazën e avancuar, teksa ishte një nga nismëtarët e aksionit të golit. Strakosha ka një dëmtim në gju, që nuk po e lë të stërvitet si duhet, por ka cilësi shumë të mira teknike dhe është shumë i zoti, ndaj shpresoj që të rikthehet sa më shpejt të luajë për Lazion dhe Kombëtaren.

Si kanë qenë këto muaj pa futboll, pasi kombëtarja nuk grumbullohet që prej nëntorit?
Kemi mbajtur kontakte të vazhdueshme me lojtarët dhe kemi komunikuar shpesh, sidomos me ata që flasin italisht. Kemi vëzhguar ecurinë e tyre dhe të gjithë mezi presim të grumbullohemi e të bëjmë mirë me kombëtaren.

A u druheni dëmtimeve, pasi Abrashi është në dyshim, Gjasula sapo është rikthyer dhe Broja la fushën mes dhimbjeve?
Për fat të keq dëmtimet na kanë hapur punë shpesh, pasi edhe këtë herë Abrashi ka problem. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe ka bërë mirë sa herë që ka luajtur, por nuk luan prej kohësh për shkak të një dëmtimi. Gjasula është rikthyer të stërvitet me skuadrën dhe më ka garantuar që ndihet mirë, ndaj do ta thërras për të parë nëse mund të luajë nga fillimi apo jo. Kemi shumë nevojë për të, pasi në mungesë të Abrashit, nuk kemi lojtar tjetër me ato tipare para mbrojtjes.

A do të ketë prurje të reja në Kombëtare?
Një prej tyre do të jetë Florian Kamberi, që është grumbulluar edhe herë të tjera, por nuk ka pasur mundësinë të luajë. Tani ai po bën shumë mirë në klubin e tij dhe kemi vendosur ta thërrasim për ndeshjet e radhës. Një emër tjetër që ka bërë shumë mirë këtë sezon, është edhe Nedim Bajrami i Empolit. Kam folur shpesh me të dhe kam bërë punë bindëse që të zgjedhë Shqipërinë. Ai tashmë ka dhënë miratimin për të veshur fanellën kuqezi dhe është në pritje të pasaportës. Shpresoj ta marrë që ta kemi për këto tre ndeshje, pasi ka shumë pjekuri, pavarësisht moshës shumë të re.

Cili është objektivi i Shqipërisë për këto tre ndeshje?
Detyra jonë është që të bëjmë mirë dhe të marrim maksimumin ndaj Andorrës dhe San Marinos. Me gjithë respektin, këto janë kundërshtarë më poshtë nesh dhe duhet të marrim maksimumin. Sa i përket ndeshjes me Anglinë, edhe aty do të luajmë për tre pikë, por është një sfidë, e vështirë. Megjithatë unë nuk do të firmosja për barazim, pasi ndeshja si fillim duhet luajtur dhe ne jemi gati të bëjmë maksimumin ndaj tyre.

Federata ka kërkuar që të lejohen 30% e tifozëve ndaj Anglisë. Do t’ju pëlqente një vendim i tillë?
Do të ishte e mrekullueshme të kishim 30% të tifozëve në stadium, pasi do të ishin një ndihmë e madhe, sidomos për ndeshjen me Anglinë. Pa tifozë ndeshjet nuk kanë të njëjtin entuziazëm dhe të njëjtën bukuri, ndaj do të donim t’i kishim si një shtysë më shumë.

Ndërkohë që prisni radhën për vaksinim në Itali, mund ta bëni vaksinën edhe në “Air Albania”, ku ka nisur ky proces tashmë…
Do pranoja ta bëja menjëherë, pasi kështu do të ndihesha më i sigurt e më i mbrojtur Në Itali më vjen radha në muajin maj, ndaj nuk do të ishte keq ta bëja më herët.

Deri ku mund të shkojë Shqipëria në këtë edicion?
Është një grup i vështirë, pasi vetëm Andorra dhe San Marino janë më të dobëta se ne. Hungaria po kalon një moment shumë të mirë, ashtu si Polonia e Anglia, që kanë vlera shumë të mëdha, Megjithatë ndeshjet luhen në fushë dhe unë mezi pres të shoh a kemi bërë hapa të tjerë përpara në rrugëtimin tonë.


Shtuar 15.03.2021 09:20