Portali boshnjak Klix.ba raporton se e posedon një dokument jozyrtar që i përket qeverisë austriake e që ka të bëjë me propozimin për anëtarësimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE.
Sipas medias boshnjake ky “non-paper” është shkruar në maj të këtij viti dhe ndër të tjera aty thuhet agresioni rus ka ndryshuar gjeopolitikën e që mund të ketë pasoja negative për Ballkanin Perëndimor, transmeton Gazeta Express.
“Ne duam dhe kemi nevojë për vendet e këtij rajoni të jenë në anën tonë. Ata janë një partner kyç dhe një pjesë integrale e familjes sonë evropiane. Për këtë arsye, ne duhet të rimendojmë qasjen tonë ndaj procesit të zgjerimit dhe politikës sonë fqinjësore,” thuhet në këtë non-paper.
Ky non-paper austriak thotë se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të përdoret si një instrument gjeostrategjik dhe jo thjesht një procedurë burokratike. Ata theksojnë se procedura aktuale e zgjerimit nuk ka dhënë rezultate të theksuara.
Ata theksojnë se duhet të shikojnë përtej mjeteve aktuale për zgjerim dhe të zhbllokojnë potencialin e pashfrytëzuar përmes integrimit gradual të këtyre vendeve.
“Në rrugën drejt anëtarësimit të plotë, ne duhet të krijojmë mundësi për integrimin gradual të këtyre vendeve në fusha me përfitim të veçantë për ta,” thanë ata në Austri.
Prandaj ata propozojnë masat e mëposhtme: integrimin progresiv në tregun e përbashkët, për shembull, transportin e lirë të mallrave, uljen dhe heqjen e taksave doganore, që do të përfshinin produktet bujqësore, dhe lëvizjen e lirë të punëtorëve.
Pjesë e qasjes graduale ndaj këtij plani do të ishte përfshirja në politikat tregtare dhe tatimore të orientuara drejt së ardhmes, pjesëmarrja në politikat e BE-së për klimën dhe energjinë, përfshirja në rrjetin trans-evropian të transportit, përfshirja e plotë në programet e BE-së në fushat e shkencës, arsimit dhe kërkimin, pjesëmarrjen në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe rritjen e përfshirjes në misionet e politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së, pjesëmarrjen në Programin Evropian të Krizave Ushqimore dhe Mekanizmin e Reagimit dhe pjesëmarrjen në agjencitë e Bashkimit Evropian.
Vetë procesi i anëtarësimit gradual do të ishte rigoroz dhe i bazuar në ndryshime të matshme. Qasja graduale në fondet e BE-së do të përdoret si një mjet bazë për të inkurajuar reformat. Gjithashtu, do të lihej mundësia e anulimit të disa përfitimeve në rast të devijimit nga rruga evropiane.
Ata sugjerojnë që në hapin e parë, vendet e Ballkanit Perëndimor të ftohen vazhdimisht në takimet jozyrtare të Këshillit të BE-së për të diskutuar fushat me interes të përbashkët. Përveç kësaj, një samit BE-Ballkani Perëndimor do të organizohet çdo vit.
Së fundi, ata thonë se procesi i propozuar i pranimit gradual në BE mund t’u ofrohet fqinjëve të tjerë të Bashkimit Evropian për të formuar një bashkëpunim të ri hap pas hapi.
Propozimi për anëtarësim gradual në Bashkimin Evropian nga non-paper-i austriak nuk është propozimi i parë me përmbajtje të ngjashme. /express