Është rritur bilanci i të lënduarve dhe viktimave nga incidenti i trenit në Gjermani.
Sipas burimeve, të paktën tre persona kanë mbetur të vdekur dhe rreth 60 të tjerë janë plagosur.
Incidenti ndodhi pasi një tren ka dalë nga shinat në shtetin juglindor të Bavarisë në Gjermani. Treni që kryesisht po transportonte studentë, po shkonte drejt Mynih-ut, kur tre vagonë të tij dolën nga shinat pranë Garmisch-Partenkirchen.
Raportohet se gjashtëmbëdhjetë nga të plagosurit të jenë në gjendje të rëndë, ndërsa gjashtë helikopterë kanë qenë në vendngjarje për të ndihmuar të plagosurit, por operacioni i shpëtimit është ende në vijim.
“Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi aksidentin”, tha një zëdhënës i policies, ndërsa “njerëzit po nxirren nga dritaret”, ka sqaruar ai.
Autoritetet deklarojnë se nuk përjashtohet mundësia që mes të plagosurve të jenë shumë studentë të cilët festonin fillimin e pushimeve verore. Aksidenti ndodhi rreth orës 13:15 me orën lokale (11:15 GMT), pak pasi treni u nis nga Garmisch-Partenkirchen për në Mynih.
Më tej, operatori hekurudhor gjerman Deutsche Bahn sqaroi se “një pjesë e rrugës midis Mynihut dhe Garmisch-Partenkirchen është bllokuar dhe trafiku është devijuar”.
Kujtojmë se përplasja hekurudhore më vdekjeprurëse e Gjermanisë në kohët moderne ndodhi në vitin 1998 kur një tren me shpejtësi të lartë doli nga shinat në Eschede në Saksoninë e Ulët, duke vrarë 101 njerëz.