Teksa raportet mes Serbisë dhe Kroacisë janë përkeqësuar dukshëm së fundmi, një tjetër konfrontim në distancë ka ndodhur mes presidenteve të dy vendeve.
Dje presidenti kroat, Zoran Milanoviq, i ka kërkuar shtetit serb që “t’i ketë mendtë në kokë”, duke e cilësuar veprimin e fundit të tyre si jo inteligjent dhe me të cilin Serbia nuk do të mund të hyjë kurrë në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, sot gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, u takuan presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ku ky i fundit tha se kishte shprehur pakënaqësinë me informacionin se ka një aktakuzë kundër pilotëve kroatë.
“Ne theksuam se ligji me të cilin Serbia zgjeron juridiksionin e saj në territorin e vendeve të tjera është i papranueshëm për ne dhe kjo lëvizje është sigurisht një sinjal për Kroacinë për një hap prapa në marrëdhëniet tona. Dhe e gjithë kjo në kohën e të gjitha përpjekjeve tona që po bëjmë për normalizimin e marrëdhënieve për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, duke forcuar pozitën e minoritetit kroat në Serbi dhe pozitën e minoritetit serb në Kroaci. Politika që ne e ndjekim prej gjashtë vjetësh është një politikë bashkëpunimi, pajtimi, e vërteta dhe përgjegjësia për krimet e luftës, por një lëvizje e tillë, duke pasur parasysh kompetencën që Serbia ia ka dhënë Kroacisë, është e papranueshme”, ka komentuar Plenkoviq, shkruan dnevnik.hr, transmeton Klan Kosova.
Nga ana tjetër, presidenti Vuçiç, pas takimit të shkurtër me Plenkoviqin, tha se “kroatët mendojnë se kanë të drejtë t’ju tregojnë se çfarë të thoni e të bëni”, duke theksuar se nuk dëshiron t’i nënshtrohet politikës kroate.
Kujtojmë se raportet mes vendeve u përkeqësuan pasi prokuroria serbe ngriti aktakuzë ndaj katër pilotëve kroatë për, siç thuhet, krime luftë – bombardimin e një autokolone refugjatësh në operacionin “Stuhia”.