SPAK përgatitet për valë të dytë arrestimesh, Dumani nxjerr 100 emra të tjerë

Një javë pas operacionit “Plumbi i Artë”, pritet që të nisë një valë e dytë arrestimesh të emrave të njohur të botës së krimit. Edhe për këtë “valë” aksion, duket se SPAK i atribuohet dëshmisë së dhënë nga Nuredin Dumani dhe ushtari i tij, Henrik Hoxhaj.

Gazetari Elton Qyno shkruan për “OraNews”, se Dumani ka nxjerrë në pah rreth 100 emra të rinj të botës së errët të krimit në vendin tonë. Edhe këta pritet që të arrestohen nga Policia e Shtetit.

Burime pranë SPAK, thanë se Dumani në dëshminë e tij, ka nxjerrë rreth 100 emra të personave të botës së krimit në Shqipëri, që veprojnë në disa qytete, e një pjesë e këtyre emrave, janë arrestuar dhe shpallur në kërkim me vendim gjykate, ndërsa për pjesën tjetër vijohet të hetohet në çdo moment. Pritet që gjithë aksioni të fokusohet më së shumti në në zonën e Fushë-Krujës, Fierit dhe Vlorës, por nuk përjashtohen as qytete të tjera. Pikërisht në vende këto ku besohet se Nuredin Dumani dhe grupi i miqve të tij, kanë marrë porosi ose kanë kryer vrasje me pagesë për llogari të personave të tjerë që kanë influencë të madhe kriminale në këto zona.

Dumani dhe Hoxhaj, mësohet se kanë treguar edhe anëtarët e grupit të armikut të përbetuar Talo Çelës, që vijon të qëndrojë prej disa vitesh në arrati. Ndërkohë që herën e parë të gjithë “VIP-at” shpëtuan, edhe pse gjithsej ishin prerë 32 urdhër-arreste, 18 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa 14 të tjera janë shpallur në kërkim.