Ish-prokurori Eugen Beci tha sot në emisionin ‘Kontrast’ se goditja e tetë bandave kriminale erdhi si pasojë e bashkëpunimit të disa prokurorive në vend.
Ai deklaroi se lufta ndaj krimit të organizuar duhet të jetë pa kompromis sepse në momentin që ndërrohet “shefi”, rrezikohet vetë shteti.
Ish-prokurori i Krimeve të Rënda tha se metodat e reja të hetimit, siç është edhe ajo e bashkëpunimit me të penduarit, janë mjaft efikase.
“Drejtësia ka nisur të funksionojë në forma të tjera sa i përket goditjes ndaj krimit. Ky është rezultat i punës së disa prokurorive. Instiuti i të penduarit është një institute shumë i rëndësishëm. Krimi i organizuar është elementi kryesor që korrupton edhe politikën. Sa më i zgjeruar të jetë krimi i organizuar, aq më i madh do të jetë edhe korrupsioni në politike sepse vetë krimi tenton të korruptojë sa më shumë njerëz me pushtet. Politika duhet të heqë dorë nga lidhjet me krimin sepse në momentin që ‘shefi’ nuk është më politikani por krimineli, atëherë rrezikohet edhe vetë ekzistenca e shtetit. Nëse një kriminel bëhet shefi i atij deputetit që ka çuar në parlament, atëherë do të kemi një problem shumë të madh. Mendoj që metodat speciale të hetimit që po aplikohen, fillimisht nga Krimet e Rënda dhe sot nga SPAK, do të jenë tepër efikase”, tha Beci për “Kontrast” në Report TV.